
Një burrë rreth të 40-ave është arrestuar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me sulmin kibernetik që goditi Aeroportin Heathrow dhe aeroporte të tjera të mëdha evropiane fundjavën e kaluar.
40-vjeçari u arrestua në West Sussex të martën dhe u akuzua për shkelje të Aktit të Keqpërdorimit të Kompjuterëve dhe është liruar me kusht. Sulmi kishte në shënjestër Collins Aerospace dhe shkaktoi probleme me sistemet e regjistrimit dhe të hipjes në bord, duke rezultuar në vonesa të konsiderueshme në fluturime në Heathrow, Bruksel dhe Berlin.
“Ndërsa ky arrestim është një hap pozitiv, hetimi është ende në një fazë të hershme dhe është duke vazhduar. Krimi kibernetik mbetet një kërcënim i vazhdueshëm global që vazhdon të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në Mbretërinë e Bashkuar. Së bashku me partnerët tanë vendas dhe ndërkombëtarë, NCA është e angazhuar për të zvogëluar këtë kërcënim në mënyrë që të mbrojë publikun britanik”, tha Zëvendësdrejtori i NCA-së, Paul Foster, Kryetar i Njësisë Kombëtare të Krimit Kibernetik.
Autoritetet po hetojnë më tej rrethanat e sulmit dhe shkallën e mundshme të përfshirjes së individit të arrestuar.
Top Channel