Shkarkoi menaxherin pse kërkoi të ndalohej performanca e grupit pro-palestinez? Reagon Dua Lipa: Ja e vërteta

24/09/2025 12:32

Ylli i pop-it Dua Lipa ka mohuar raportimet e mediave se ajo ka shkarkuar një nga agjentët e saj, pasi ai kishte tentuar të ndalonte grupin irlandez Kneecap të performonte në Glastonbury.

“Mail Online” pretendoi se Lipa ishte ndarë nga David Levy, sepse ai kishte nënshkruar një letër ku i bënte thirrje organizatores së festivalit, Emily Eavis, të hiqte nga lista grupin rap për shkak të pikëpamjeve të tyre pro-palestineze.

Si Lipa, ashtu edhe agjencia e saj e talenteve “WME” e kanë quajtur historinë “kategorikisht të pavërtetë”, duke thënë se Levy kishte ndaluar së punuari me këngëtaren që në vitin 2019.

Në një deklaratë, Lipa kritikoi përpjekjen e Levy-t për të heshtur Kneecap, por tha se artikulli i “Mail” ishte “qëllimisht nxitës”, i “hartuar… për të ushqyer përçarje online”.

“Nuk i miratoj veprimet e David Levy-t apo të drejtuesve të tjerë të muzikës ndaj një artisti që flet të vërtetën e tij,” shkroi ajo në rrëfimin e saj në Instagram.

“Nuk mund të injoroj gjithashtu mënyrën si kjo është trajtuar në shtyp. Historia jo vetëm që ishte krejtësisht e pavërtetë, por gjuha e përdorur nga ‘Daily Mail’ ishte qëllimisht nxitëse, e ndërtuar thjesht për ‘clickbait’, qartazi e menduar për të ushqyer përçarje online”.

“Është gjithmonë ‘Free Palestine’,” shtoi ajo, “por shfrytëzimi i një tragjedie globale vetëm për të shitur gazeta është diçka që më shqetëson thellë.”

Në një deklaratë të veçantë për BBC, WME tha: “Raportimet që sugjerojnë se Dua Lipa ose menaxhmenti i saj kanë pushuar nga puna një nga agjentët tanë për shkak të pikëpamjeve të tij politike janë kategorikisht të pavërteta.”

Duke pranuar se Levy kishte luajtur një rol në “karrierën e hershme” të Lipës, agjencia tha se ai kishte mbetur pjesë e ekipit të saj “në rol këshillues” deri “më herët këtë vit” kur ai u përqendrua në projekte të tjera.

“Mail” më pas e ka përditësuar artikullin për t’i pasqyruar këto deklarata, duke korrigjuar gjithashtu një gabim të mëparshëm ku pretendonte se Levy ishte menaxheri i Lipës.

Që prej vitit 2022, menaxher i këngëtares është babai i saj, Dukagjin Lipa.

Top Channel