
Një aksident ajror u shmang për vetëm pak metra në aeroportin ndërkombëtar të Nisë, kur një avion i kompanisë tuniziane Nouvelair tentoi të ulej në një pistë të gabuar, ku në atë moment ndodhej një avion i kompanisë EasyJet, gati për nisje.
Incidenti ndodhi të dielën në mbrëmje, rreth orës 23:30, gjatë motit të keq me reshje të dendura shiu. Avioni i Nouvelair, fluturimi BJ586 nga Tunisi, u afrua për ulje në pistën 04 Djathtas të aeroportit Côte d’Azur, duke ngatërruar pistën me atë të saktën, 04 Majtas.
Në të njëjtën pistë ku po ulej, ndodhej avioni i EasyJet, fluturimi 4706 drejt Nantes, i cili ishte gati për të marrë shpejtësi dhe për t’u ngritur. Kur pilotët e avionit tunizian kuptuan gabimin, ata aplikuan fuqinë maksimale për të anuluar uljen, duke shmangur përplasjen vetëm disa metra mbi avionin tjetër.
Dëshmitarët brenda avionit të EasyJet raportuan se dëgjuan një zhurmë të fuqishme motorësh dhe e përshkruan momentin si shumë tronditës. Sipas një pasagjeri 29-vjeçar të quajtur Érard, kapiteni i EasyJet doli nga kabina i tronditur dhe deklaroi se “një përplasje u shmang për vetëm tre metra”. Piloti konfirmoi se përgjegjësia për incidentin ishte e avionit tjetër.
Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet franceze nisën dy hetime të ndara – një penal dhe një teknik – për të përcaktuar shkakun dhe përgjegjësinë. Prokuroria e Nisë konfirmoi se hetimi penal do të shqyrtojë mundësinë e akuzave për rrezikim të jetës për shkak të neglizhencës. Ndërkohë, Agjencia Franceze për Hetimin e Aksidenteve Ajrore (BEA) e klasifikoi ngjarjen si një “incident serioz” dhe konfiskoi regjistruesit e fluturimeve të të dy avionëve për analiza të detajuara. Do të intervistohen pilotët, kontrollorët e trafikut ajror dhe do të analizohen kushtet e motit në kohën e incidentit.
Nga hetimet paraprake, duket se gabimi është bërë nga piloti i Nouvelair, i cili ngatërroi pistat paralele të aeroportit. Aeroporti i Nisë ka dy pista të ngjashme, të ndërtuara mbi një zonë të zgjeruar në det, të cilat mund të ngatërrohen lehtësisht në kushte të vështira shikueshmërie. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e një gabimi nga kontrolli i trafikut ajror, i cili jep lejen për ulje.
Pas ngjarjes, fluturimi i EasyJet u anulua dhe pasagjerët u kthyen në shtëpi. Të dy avionët u ndaluan për hetim dhe nuk u lejuan të vazhdojnë operimet deri në përfundimin e analizave teknike.
Ngatërrimi i pistave paralele ka qenë shkak i disa aksidenteve të mëparshme, por zhvillimi i teknologjisë dhe disiplina më e lartë e pilotëve e ka ulur ndjeshëm rrezikun.
Së fundmi, në Francë janë rritur protestat dhe grevat nga kontrollorët e trafikut ajror, të cilët ankohen për mungesë stafi dhe mbingarkesë në punë, faktorë që potencialisht mund të ndikojnë në sigurinë e fluturimeve.
Top Channel