
Socialistët dhe demokratët bashkuan votat në Këshillin Bashkiak për të miratuar propozimin për shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar i bashkisë së Tiranës.
Ndonëse të pranishëm në mbledhje, në votim nuk morën pjesë këshilltarët socialistë Aldo Merkoci dhe Alfred Muharremi të cilët zgjodhën që të largohen pa ngritur kartonët e tyre, ndërsa Gazmend Paja dhe Joleza Koka nuk u paraqitën.
Një tjetër emër që nuk votoi ishte Fabian Topollaj i Bindjes Demokratike, duke e çuar në 5 numrin e këshilltarëve që nuk morën pjesë në votim.
Por ky propozim i miratuar tanimë nga Këshilli Bashkiak do t’i kalojë Këshillit të ministrave.
Janë këta të fundit që do të vendosin për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak nisi me fjalën e kryetares Megi Fino e cila që në hyrje vlerësoi punët e bëra nga Veliaj për transformimin e kryeqytetit dhe sqaroi se vendimi i sotëm vjen si një nevojë emergjente për të pasur një drejtues në krye të punëve të Tiranës.
Ky nuk është një gjyq ndaj Erion Veliajt, theksoi Këshilltari socialist Luan Bregasi, i cili kërkoi dhe që mbledhja të konsiderohej si normale.
Këshilltari i djathtë Dorian Teliti e sheh si një çlirim për Tiranën vendimin e sot. Gjatë mbledhjes i qëndroi deri në fund kërkesës së tij për ta pasur të pranishëm në mbledhje Erion Veliajn.
Demokrati Ilir Alihmemeti nuk la pas as kritikat për këshilltarët socialistë, për inicimin e kësaj mbledhje vetëm pasi u shpreh kryeministri Edi Rama.
Nuk e “tradhtoi” Veliajn deri në fund Aldo Merkoci, para se të largohej nga mbledhja zgjodhi të mbante një fjalë:
Vendimi i sotëm është gjithçka përveç se i lehtë kështu që nuk kam ndërmend as ta zbukurojë as ta lehtësojë nga barra e drejtësisë dhe historisë. Minimumi që mund të bëjmë sot, në respekt të qytetarëve, në respekt të parimeve të drejtësisë dhe në respekt të një kryetari i cili ka dhënë Gjithçka për qytetin është të jemi të ndërgjegjshëm për vendimin që po marrim.
Më herët gjatë ditës së sotme në komisionin e ligjeve u diskutua për praninë e Erion Veliajt në mbledhjen e Këshillit, por me një letër të firmosur nga sekretari Behar Zeneli drejtuar Veliajt, theksohej se nuk ka asnjë vendim për ndalimin e tij në mbledhje. Por pavarësisht kësaj, karrigia ku Erion Veliaj ka qëndruar për 10 vite mbeti bosh përgjatë të gjithë mbledhjes.
Top Channel