Meta po sjell një risi në platformën e saj të takimeve, Facebook Dating, përmes integrimit të një asistenti me Inteligjencë Artificiale (IA).

Ky chatbot synon të ndihmojë përdoruesit të gjejnë partnerë potencialë më afër preferencave të tyre, duke sugjeruar persona me interesa të përbashkëta apo nga e njëjta fushë profesionale.

Për më tepër, IA do të mund të ndihmojë në rregullimin e profilit të përdoruesit, për ta bërë atë më tërheqës dhe të përshtatshëm për algoritmin e përputhjes.

Gjithashtu Meta ka prezantuar gjithashtu funksionin “Meet Cute”, një opsion që rekomandon çdo javë një “kombinim surprizë” për përdoruesit, duke synuar të shmangë lodhjen e zakonshme nga rrëshqitja (swiping) në aplikacionet e tjera të takimeve.

Sipas kompanisë, numri i përputhjeve në Facebook Dating për grupmoshën 18-29 vjeç është rritur me 10% nga viti në vit, dhe qindra mijëra përdorues krijojnë profile çdo muaj. Megjithatë, këto shifra mbeten ende të ulëta krahasuar me Tinder, që numëron rreth 50 milionë përdorues aktivë në ditë, dhe Hinge, me rreth 10 milionë.

Integrimi i Inteligjencës Artificiale po shihet gjithnjë e më shumë si një domosdoshmëri në tregun e aplikacioneve të takimeve. Edhe platforma më të reja si Sitch po përpiqen të spikasin përmes përdorimit të IA-së.

Ndërkohë, kompania Match Group, që zotëron Tinder, Hinge, OKCupid e të tjera, firmosi një bashkëpunim me OpenAI vitin e kaluar, pjesë e një investimi prej 20 milionë dollarësh, me synimin për të sjellë më shumë teknologji të avancuar në këtë industri.

Top Channel