
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Takimin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për 30-vjetorin e Konferencës së Katërt Botërore për Gratë.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Republikës ftoi që të shfrytëzohej koha e mbetur deri në vitin 2030 për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Kreu i Shtetit konstatoi se me gjithë angazhimin e përbashkët në zbatim të Platformës për Veprim të Pekinit, të vendosur në konferencën historike të vitit 1995, progresi në barazinë gjinore është në stanjacion dhe në disa fusha është në regres.
“Ky takim duhet të shërbejë si një pikë kthese, duke kaluar nga retorika në veprim. Ne duhet të mobilizojmë burime të mjaftueshme financiare, të përforcojmë kornizat e llogaridhënies dhe të investojmë në veprime të matshme dhe transformuese”, theksoi Presidenti i Republikës ndërsa ndau me liderët botërorë përvojën e Shqipërisë.
Presidenti Begaj renditi reformat ligjore, institucionale dhe shoqërore të ndërmarra nga Shqipëria për barazinë gjinore, rritjen e buxhetit dhe fondeve, fuqizimin e rolit të vajzave dhe grave në vendimmarrje të rëndësishme.
Kreu i Shtetit theksoi se këto reforma të ndërmarra e kanë bërë barazinë gjinore një aspekt të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare.
Duke e konsideruar barazinë gjinore si faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, kohezionin shoqëror dhe prosperitetin e përbashkët, Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin se “ Shqipëria është zotuar për dy veprime prioritare sipas Agjendës së Veprimit Pekin+30: së pari të intensifikojë përpjekjet për të eliminuar dhunën ndaj grave dhe së dyti të zgjerojë zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm ndaj gjinisë”.
Samiti i këtij viti Asamblenë e Përgjithshme me rastin e 30-vjetorit të Konferencës së Katërt Botërore për Gratë kishte në fokus rikonfirmimin e angazhimit, sigurimin e burimeve dhe përshpejtimin e zbatimit të Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim për të arritur barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave me synim reflektimin e përbashkët mbi progresin dhe sfidat e vazhdueshme në avancimin e barazisë gjinore në mbarë botën.
Top Channel