
Një rrjet i errët festash, përdorimi droge, marrëdhënie të rrezikshme dhe një video intime mendohet se qëndrojnë në themel të një vrasjeje brutale të ndodhur në Milano.
Sipas hetuesve, motivi kryesor ka qenë frika se pamjet kompromentuese mund të përdoreshin për shantazh.
Bazuar në rindërtimin e ngjarjes nga autoritetet, tre persona – një çift italian, Emanuele Paganini, 38 vjeç, dhe Valentina Peroni, 36 vjeçe, së bashku me mikun e tyre shqiptar, Elvis Simon, 33 vjeç – vendosën të eliminojnë burrin që kishte videon.
Të tre u arrestuan mbrëmjen e së enjtes nga Skuadra Fluturuese e Milanos, me akuza të rënda për vrasje të rënduar, grabitje dhe shkatërrim të kufomës.
Viktima, Hayati Aroyo, një shtetas 62-vjeçar italo-turk, u gjet i vdekur natën e 23 korrikut brenda një apartamenti në Sesto San Giovanni, i djegur. Trupi, i gjetur në dhomën e gjumit, ishte i paidentifikuar për shkak të djegies dhe i mbushur me dhjetëra plagë thike. Disa fqinjë raportuan se kishin dëgjuar britma gjatë natës, përpara se tymi të mbushte ndërtesën. Shtëpia ku ndodhi vrasja i ishte dhënë me qira një studenti universiteti, që nuk kishte lidhje me incidentin.
Aroyo kishte banuar përkohësisht në atë banesë gjatë mungesës së tij verore.
Top Channel