Pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA, Kurti ia hedh fajin opozitës: Po e bëjnë të stërmadhe, kemi dallime për raportet me Serbinë

19/09/2025 10:31

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur për herë të parë për ndërprerjen e dialogut strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në adresimin në mbledhjen e qeverisë në detyrë, ai tha se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik e jo të dialogut për proces të nisur.

Kurti shprehet se nuk janë prishur marrëdhëniet me SHBA, ndërsa ia hodhi fajin opozitës, duke thënë se “po e bëjnë të stërmadhe’. Sipas tij dallimi është për raportet me Serbinë.

“Duam të qartësojmë për qytetarët tonë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për Dialog Strategjik, e jo të Dialogut Strategjik si proces të nisur e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime. Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë sonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj vendimet e fundit. I siguroj qytetarët qe qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e ambasadës amerikane”, shprehet Kurti.

Kurti pretendoi se marrëdhëniet e qeverisë së tij me qeverinë amerikane janë të mira, por se dallimi konsiston te disa “çështje operacionale dhe taktike”.

“Përgjatë mandatit tonë jemi angazhuar që raportet dhe partneriteti ynë me SHBA-në të forcohet në tri shtylla kryesore: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në diplomaci kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëndrime, nganjëherë jo për çështje operacionale dhe taktike”, thekson ai.

Top Channel