U kap ‘mat’ duke marrë një pako me kanabis nga posta, arrestohet 20-vjeçari, në kërkim porositësi

18/09/2025 09:57

Është arrestuar një 20-vjeçar në Tiranë, pasi u kap duke marrë një pako me kanabis, me përqindje të lartë THC, në një degë postare.

Uniformat blu bëjnë me dije se është shpallur në kërkim porositësi i pakos, ndërsa bëhet me dije se  pakoja me 593 gramë lëndë narkotike u sekuestrua nga policia.

Njoftimi:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Adresa”, për goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike, nga Spanja, me qëllim shitjen në Shqipëri.

U kap në flagrancë, duke marrë në një degë postare, një pako me Cannabis me përqindje të lartë THC, vihet në pranga 20-vjeçari.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim porositësi i pakos.

Sekuestrohet pakoja me 593 gramë lëndë narkotike.

Në vijim të operacioneve për goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë, si dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe me Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, finalizoi operacionin “Adresa”.

Gjatë operacionit, u vu në pranga shtetasi E. P., 20 vjeç, banues në Kamzë, i cili u kap në flagrancë, në një degë postare në kryeqytet, gjatë marrjes së një pakoje me 593 gramë Cannabis me përqindje të lartë THC, të dyshuar të trafikuar nga Spanja.

Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni u mundësua dhe identifikimi i porositësit të pakos, shtetasit B. C., 38 vjeç, për kapjen e të cilit, Policia vijon intensivisht punën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel