Ndihmonte emigrantë të kalonin ilegalisht kufirin kundrejt pagesës, arrestohet 21-vjeçari nga Sudani

18/09/2025 11:31
Foto Ilustruese

Një shtetas sudanez është arrestuar këtë të enjte në fshatin Tresenik të Devolit, pasi u kap duke shoqëruar 2 shtetas të tjerë sudanezë që kishin kaluar kufirin me Greqinë, në mënyrë të paligjshme.

21-vjeçari u arrestuar është trajtuar 2 ditë më parë, me masën “Urdhër për largim vullnetar”, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare, duke kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin.

Njoftimi:

Vijojnë operacionet kundër veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve.
Finalizohet operacioni i koduar “Northward”, vihet në pranga një 21-vjeçar (shtetas sudanez), që organizonte dhe kryente këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesës.
21-vjeçari u kap në flagrancë, në fshatin Tresenik, Devoll, duke shoqëruar 2 shtetas sudanezë që kishin kaluar kufirin me Greqinë, në mënyrë të paligjshme.
I arrestuari është trajtuar 2 ditë më parë, me masën “Urdhër për largim vullnetar”, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare, duke kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, si rezultat i hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, finalizuan operacionin e koduar “Northward”. Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi:
-F. N., 21 vjeç, banues në Sudan, shtet në Afrikën e Veriut.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, që të hynin në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë, dhe më pas të kalonin në Malin e Zi, me destinacion final vendet e BE-së.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta