
Në përfundim të raundit të parë të regjistrimeve në arsimin e lartë për vitin e ri akademik, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit janë regjistruar 1296 studente të ardhshëm.
“Krahasuar me vitin e kaluar Shifra është 5 % më e lartë. Disa nga programet që kanë pasur rritje në krahasim me vjet janë degët e gjuhëve të huaja, psikologjia, shkencat ekonomike. Edhe Infermieria që mbetet ndër degët më të kërkuara dhe të preferuara nga maturantët. Rritja këtu ka qenë me 20 % më shumë se vjet”, tha Shkëlqim Fortuzi, Rektor i Universitetit të Durrësit.
Një interes i shtuar është vënë re edhe për programet e reja të dyfishta, të ofruara për herë të parë në bashkëpunim me Universitetin e Bragançës në Portugali dhe “La Sapienza” në Itali. Turizmi, programimi dhe dixhitalizimi janë ndër degët me kërkesë në rritje.
“Gjatë raundit të dytë presim që trendi rritës të thellohet më shumë, rreth 10 % më shumë se vjet. Ndër degët e reja mund të përmendim dhe degën Teknik Dentar, ku janë regjistruar 22 studentë. Kjo tregon se programet tona janë të orientuara drejt tregut të punës dhe këtë e dëshmon numri i studentëve të regjistruara në degët e reja”, u shpreh rektori.
Programet e reja, të ndërtuara mbi kërkesat e tregut të brendshëm dhe ndërkombëtar, janë mirëpritur nga të rinjtë.
“Kam zgjedhur degën Teknik Elektrik sepse më ka pëlqyer që i vogël. Është profesion shumë i kërkuar dhe ka treg të madh pune”, tha një student.
Këtë vit, për herë të parë, studentët e Universitetit të Durrësit kanë marrë diploma të dyfishta me “La Sapienza”-n në Romë, një tjetër hap drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë ne vend.
Top Channel