
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit amerikanë, nuk u diskutua propozimi i bërë më herët nga anëtari Erind Mërkuri, i cili kërkonte ndryshimin e rregullores për drejtuesin e SPAK.
Duket se mesazhet e dhëna pak ditë më parë nga zyrtarët amerikanë në Tiranë, për një proces të drejtë dhe transparent në zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK, kanë bërë që KLP të tërhiqet nga kjo kërkesë e Mërkurit, i cili siç raportoi gazetarja Anila Hoxha pak ditë më parë, kërkoi saktësimin e termit “shumica’ që vendos sipas rregullores drejtuesin e SPAK.
Kështu mbetet në fuqi rregullorja e vjetër që KLP ka aplikuar edhe më parë.
“Edhe SPAK-u i nënshtrohet ligjeve të Shqipërisë. Bazuar në ligj, Z. Dumani, sado efektiv që ka qenë, do të zëvendësohet, sepse mandati i tij ka përfunduar. Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Z. Dumani duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme. Ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër”, deklaroi e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn.
Mërkuri, i zgjedhur vjet nga radhët e avokatëve, kërkoi ndërhyrjen e KLP mbi numrin e saktë të votave që certifikojnë kreun e ri të SPAK-ut, gjë e cila mund të sillte në perspektivë votimin në disa raunde derisa të bëhet shumica e kërkuar.
Kjo rregullore u miratua me ndryshime pas zgjedhjes së Dumanit dhe përcakton se kreu i SPAK-ut zgjidhet me shumicën e anëtarëve të KLP-së. Ndërsa kuorumi i detyrueshëm për mbledhje plenare është 7 anëtarë nga 11 gjithsej.
Mërkuri nuk pranoi të komentonte publikisht arsyet e propozimit të tij përpara se ta bënte këtë zyrtarisht në KLP.
Top Channel