Beteja e Veliajt në Kushtetuese për shkarkimin nga detyra, ja argumentet e mbrojtjes së kryebashkiakut

17/09/2025 16:06

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pritet të nisë një betejë në Gjykatën Kushtetuese pas vendimit që do të marrë Këshilli Bashkiak për ta shkarkuar nga detyra.

Burimet nga ekipi ligjor i kryebashkiakut në detyrë, bëjnë të ditur se argumentet e tyre përqendrohen në faktin se Veliaj nuk mund të shkarkohet për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë kundër tij dhe për sa kohë nuk është arrestuar në flagrancë duke kryer një krim në detyrë (Preuzumimi pafajësisë, neni 30 i Kushtetutës).

Nëse do të ketë një vendim nga Këshilli Bashkiak që pritet të mblidhet së shpejti, Veliaj ka të drejtën të ankohet në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Qeverisë për shkarkim. Erion Veliaj ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Kushtetuese; në momentin që bëhet ankesa, vendimi pezullohet.

Deri sa të marrë vendimin Gjykata Kushtetuese vendimi i qeverisë është i pezulluar (neni 115 i Kushtetutës).

Burimet nga ekipi ligjor i Veliajt thonë se nëse kryebashkiaku ankimon vendimin e Këshillit të Ministrave, automatikisht çdo vendim për ti hapur rrugë zgjedhjeve të reja për bashkinë e Tiranës pezullohet.

Këshilli Bashkiak i Tiranës, sipas legjislacionit në fuqi ka për detyrë të thërrasë kryebashkiakun Veliaj për ta dëgjuar për të marrë një vendim. Pyetja që ngrenë avokatët e Veliajt është se si do të cilësohet vendimi i shkarkimit nëse Veliajt nuk do t’i jepet e drejta për të folur në mbledhjen e Këshillit.

Një tjetër pyetje që ngrenë juristët e ekipit ligjor të Veliajt është nëse konsiderohet  problematik ligji në formulimin e tij kur thotë se Erion Veliaj shkarkohet kur dënohet me vendim të formës së prerë, pra me vendimi përfundimtar të Gjykatës së Larte. Gjykimi deri në Gjykatën e Lartë zgjat me vite dhe nuk ka afate të shpejta hetimi dhe gjykimi, ndërkohë që kryetari i bashkisë është organ i zgjedhur.

Ata marrin edhe precedentët e viteve 2019 -2022 kur Bashkia e Durrësit dhe Bashkia e Shkodrës ishin për një kohë të gjatë pa kryetar bashkie në detyrë dhe në këto njësi nuk u zhvilluan zgjedhje të parakohshme.

Top Channel