
Në ditën e dytë të dhënies së dëshmisë në Hagë, ku është thirrur nga ekipi i avokatëve mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaci, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin tregoi arsyet se përse ka refuzuar të jetë dëshmitar i Prokurorisë në këtë cështje, duke nënvizuar kjo ka të bëjë me pikëpamjet e tij për Gjykatën Speciale.
Rubin e quajti të padrejtë mbajtjen për gati pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vetë.
“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë. Nuk e kuptoj përse duhet të qëndronin kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson”, tha Rubin.
Diplomati amerikan i karrierës i mëshoi idesë se një gjë e tillë nuk ka të bëjë aspak me shtetin e së drejtës. Madeleine Albright, shtoi ai duke iu referuar ish shefes së diplomacisë së SHBA-së në kohën e luftës së Kosovës, nuk ka pasur këtë në mendje kur u formula Gjykata a Hagës për ish-Jugosllavinë.
“Kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Mua kjo më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së”, shtoi Rubin.
Rubin u pyet në mënyrë specifike për një artikull të gazetës The Neë York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kishin kryer vrasje brenda radhëve të tyre.
Sipas artikullit të lexuar nga prokurori, Hashim Thaçi drejtoi fushatën e vrasjes së disa komandantëve. Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së tek diplomatë amerikanë, të cilët gjoja thanë se kishin parë me sytë e tyre vrasjen e rivalëve të Thaçit.
Rubin u shpreh se nuk i kujtohet artikulli në fjalë, por shtoi se ka shumë dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.
“Autori i këtij artikulli, në mënyrë të vazhdueshme, ka shkruar gjëra që kanë qenë të rreme”, ishte komenti i tij.
Ai po kështu u shpreh shumë skeptik për një raport të vitit 1998 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së, e tha me bindje se organet e Kombeve të Bashkuara shpeshherë nuk i kishin bërë një përshkrim korrekt situatës në Kosovë.
Top Channel