
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, lëshoi një paralajmërim për Izraelin dje, disa ditë pas sulmit të përgjakshëm në Katar që kishte në shënjestër figura kryesore të Hamasit.
Pavarësisht protestave ndërkombëtare, sidomos në botën arabe, për këtë sulm të paprecedentë ndaj një shteti që strehon bazën më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, kreu i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, gjatë një vizite zyrtare në Izrael, theksoi se marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Izraelit mbeten të paprekura.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi dje se vizita e Sekretarit të Shtetit Rubio tregon sa e palëkundur është aleanca midis dy vendeve.
Ndërkohë, në Rripin e Gazës, familje të tëra po largohen nga qyteti i Gazës, në pjesën veriore të enklavës palestineze të rrethuar, të cilin qeveria Netanyahu dhe ushtria izraelite e paraqesin si një nga fortesat e fundit të Hamasit. Operacionet ushtarake atje janë intensifikuar.
Presidenti Trump e kishte kritikuar tashmë Izraelin për sulmin e 9 shtatorit kundër Katarit. Megjithatë, Rubio siguroi përpara nisjes së tij drejt Izraelit se kjo kritikë nuk do të dëmtojë marrëdhëniet mes dy aleatëve.
Takimet kryesore të Sekretarit Rubio në Izrael do të zhvillohen sot, në të njëjtën kohë me një samit në Doha të udhëheqësve të vendeve arabe dhe myslimane, të mbledhur për të dënuar sulmin ndaj Katarit. Dje, kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdelrahman al-Thani, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndalë zbatimin e “standardeve të dyfishta” dhe të “ndëshkojë” Izraelin për “krimet që ka kryer”.
Katari, i cili pret – me miratimin jozyrtar të Uashingtonit – zyrën politike të Hamasit, është një ndër ndërmjetësit kryesorë në negociatat indirekte që synojnë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Rripin e Gazës. Lufta u ndez pas inkursionit të paprecedentë të krahut ushtarak të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.
“Një mik i vërtetë”
Vizita e Rubios “tregon forcën e aleancës” mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, theksoi dje Netanyahu gjatë një vizite të përbashkët në Murin Perëndimor në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, ku Rubio, megjithëse katolik, u lut.
Netanyahu e përshkroi Rubion si një “mik të vërtetë të Izraelit” dhe shtoi se marrëdhënia mes dy vendeve “nuk ka qenë kurrë më e fortë”.
Sipas Departamentit të Shtetit, vizita ka për qëllim të shprehë mbështetjen amerikane për Izraelin, në prag të njohjes së mundshme nga disa shtete të një shteti palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Netanyahu theksoi se nëse “udhëheqësit e Hamasit” të shënjestruar në bastisjen ndaj Katarit do të eliminoheshin, atëherë “pengesa kryesore” për lirimin e pengjeve që ende mbahen në Gazë do të hiqej. Qeveria e tij ka lënë të kuptohet se operacione të ngjashme mund të përsëriten.
Nga ana tjetër, Forumi i Familjeve – grupi kryesor i të afërmve të pengjeve izraelite – deklaroi se është vetë Netanyahu ai që përbën një “pengesë” për përfundimin e luftës.
Sipas mbrojtjes civile, të paktën 45 persona u vranë dje në enklavë. Ushtria izraelite ndërkohë lëshoi një urdhër të ri evakuimi urgjent për banorët e qytetit të Gazës drejt jugut.
Autoritetet izraelite thonë se presin që “një milion” banorë të qytetit më të madh të enklavës të largohen nga veriu. OKB-ja ka paralajmëruar së fundmi për “një katastrofë humanitare”.
Pamjet e kapura nga gazetarët e AFP tregojnë kolona të gjata automjetesh të mbipopulluara dhe njerëz në këmbë që po largohen drejt jugut përgjatë rrugës bregdetare.
Mohammed Ghazal, 32 vjeç, i larguar nga lagjja Sujaya e Qytetit të Gazës, përshkroi sulme ajrore të pandërprera:
“Përjetuam panik, frikë ekstreme. Granatimet nuk kanë ndaluar që nga agimi, shpërthimet janë të fuqishme, të shtënat janë të vazhdueshme,” tha ai.
Bakri Diab, që iku nga pjesa perëndimore e qytetit, theksoi se sulmet vazhdojnë edhe në jug: “As jugu nuk është i sigurt,” tha 35-vjeçari, baba i katër fëmijëve.
Sipas OKB-së, gati të gjithë banorët e Rripit të Gazës – mbi 2 milionë palestinezë – janë detyruar të largohen të paktën një herë që nga shpërthimi i luftës.
Bastisja e Hamasit më 7 tetor 2023 shkaktoi vdekjen e 1,219 personave në anën izraelite, shumica civilë, sipas një llogaritjeje të AFP bazuar në të dhëna zyrtare. Sipas ushtrisë izraelite, 47 pengje mbeten ende në Gaza, nga të cilët 25 besohet se janë të vdekur, nga një total prej 251.
Që prej asaj kohe, operacionet ushtarake izraelite në shkallë të gjerë kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 64,871 personave në enklavën palestineze – shumica civilë – sipas shifrave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë të qeverisë së Hamasit, të cilat OKB-ja i konsideron të besueshme. Situata humanitare është katastrofike.
Ushtria izraelite deklaroi dje se kishte bombarduar një tjetër ndërtesë të lartë banimi në Qytetin e Gazës, pasi pretendon se po përdorej nga Hamasi.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, sulmoi kryeministrin socialist spanjoll Pedro Sanchez, duke e quajtur atë një “turp për Spanjën” për shkak të ndërprerjes së turit të biçikletave të vendit, si pasojë e protestave masive në mbështetje të palestinezëve.
Top Channel