Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi reagoi pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në Hagë, i thirrur si dëshmitar nga ekipi mbrojtës i ish krerëve të UCK-së, duke e cilësuar këtë si një moment tejet të rëndësishëm që dëshmon qartë drejtësinë e luftës për çlirim.

James Rubin, tha Krasniqi përmes një postimi në rrjetet sociale, është një diplomat dhe patriot amerikan, me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë, që po flet në mbrojtje të ish Presidentit Hashim Thaçi dhe shokëve të tij.

Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre. Prandaj, drejtësi dhe vetëm drejtësi, asgjë më shumë nuk kërkon sot asnjë shqiptar anembanë botës. Sepse me SHBA-të në krah, dhe kurrsesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha”, shprehet Memli Krasniqi.

Memli Krasniqi u zgjodh korrikun e vitit 2021 në krye të PDK-së, duke marrë besimin asokohe besimin e delegatëve për të drejtuar këtë forcë politike, të themeluar nga Thaci. Ekipi i mbrojtjes i ish-presidentit Thaçi, ka njoftuar, se synon të thërrasë 11-12 dëshmitarë. Pasi të përfundojnë provat dhe thirrja e dëshmitarëve të tyre, do të nisë prezantimi i dëshmitarëve nga mbrojtja e ekipit të ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, të cilët do të paraqesin 4 dëshmitarë. Dëshmi mbrojtëse nuk pritet të paraqesin ekipet mbrojtëse të ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-deputetit të LVV-së Rexhep Selimi.

Top Channel