“Spiunë” për administratën, ministria: Projektligj për sinjalizuesit, do raportojnë çdo ankesë dhe shkelje

14/09/2025 20:13

Për të mbrojtur dhe ardhur në ndihmë individëve të cilët punojnë në institucionet publike dhe private dhe ndihen të diskriminuar apo keqtrajtuar në vendin e punës, si dhe ata që vërejnë abuzime, do të ngrihen njësi speciale për të raportuar ankesat.

Të quajtur sinjalizues, çdo person që punon në një biznes mbi 50 punonjës, apo drejtori publike do ketë të drejtë të denoncojë në to padrejtësitë dhe shkeljet në vendin e punës.

Nëpërmjet një projektligji të hedhur për konsultim publik, Ministri për Shtetin dhe Administratën Publike synon mbrojtjen e çdo individi që përballet me mosbesim, kundërshtime, hakmarrje dhe masa qe kufizojnë të drejtat dhe mundësitë e tij për karrierë.

“Sinjalizues konsiderohet çdo individ që raporton ose publikon informacion mbi një shkelje të mundshme të kuadrit ligjor dhe që ka statusin e punonjësit, punëkërkuesit, ish-punonjësit, vullnetarit apo praktikantit, pavarësisht natyrës së marrëdhënies së punës, kohëzgjatjes së saj apo nëse është i paguar ose jo”, tha Ministrja e Shtetit për Administratwn Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

Sinjalizuesit mund të raportojnë diskriminimin në vendin e punës por edhe nëse vërejnë shkelje dhe abuzime.

“Sinjalizuesit mund të raportojnë edhe për abuzimet me fondet e buxhetit të shtetit, Bashkimit Evropian apo organizatave ndërkombëtare, prokurimive publike, sigurinë e produkteve ushqimore dhe ushqimit për kafshë”, u shpreh Pirdeni.

Në këtë mënyrë thuhet në projektligj sinjalizuesi ka nevojë për mbrojtje dhe mbështetje për të përballuar pasojat e veprimeve hakmarrëse që mund të lindin nga raportimi i shkeljeve të kuadrit ligjor në një autoritet publik ose subjekt privat. Jo vetëm personi raportues por dhe mbështetësit e tij.

Por të gjithë individët që kanë ankesa çfarë rruge do të ndjekin për të sinjalizuar?

“Sinjalizim i çdo shkelje të mundshme të kuadrit ligjor mund të kryhet nëpërmjet sinjalizimit të brendshëm tek njësia përgjegjëse e ngritur në autoritetin publik ose subjektin privat, nëpërmjet sinjalizimit të jashtëm, tek autoriteti kompetent ILDKPKI, si dhe sinjalizim publik sipas parashikimeve të këtij projektligji”, përfundoi ministrja.

Ndonëse ka institucione përgjegjëse të cilat nëpërmjet auditimeve hetojnë shkeljet në vendin e punës, gjithashtu dhe inspektorate ku mund të ankohesh ministria për administratën sheh të nevojshme ngritjen e këtyre njësive ku mund të ankohesh.

Sipas ministrisë ky projektligj vjen në kuadër të luftës kundër korrupsionit por edhe si një prioritet strategjik për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

 

Top Channel