SHBA mes aleancave dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, Marco Rubio mbërrin në Izrael pas sulmit të paprecedentë ndaj Hamasit në Katar

14/09/2025 11:44

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, mbërriti këtë të diel në Izrael mes tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme, pas një sulmi të Izraelit kundër udhëheqësve të Hamasit në Katar dhe përshkallëzimit të zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Para nisjes, Rubio deklaroi për mediat se Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump “nuk ishin të kënaqur” me sulmin ndaj Katarit, por theksoi se kjo nuk do të ndryshojë marrëdhëniet me Izraelin. “Do të takohemi me ta. Do të bisedojmë për të ardhmen. Dua të kuptoj më mirë planet e tyre në vijim,” tha Rubio.

Ai pritet të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe të vizitojë Murin e Perëndimit në Jeruzalem gjatë qëndrimit të tij. Më pas, Rubio do t’i bashkohet presidentit Trump në vizitën e tij në Britani javën e ardhshme.

Vizita e Rubio-s vjen disa ditë pas një sulmi të paprecedentë të Izraelit në një lagje luksoze të Dohas, ku u goditën udhëheqës të Hamasit që sipas raporteve po diskutonin një propozim të ri për armëpushim, të ndërmjetësuar nga SHBA. Sulmi ka shkaktuar një reagim të ashpër ndërkombëtar dhe ka vënë në pikëpyetje përpjekjet diplomatike për paqe në Gaza.

Presidenti Trump ka kritikuar publikisht Netanyahu-n për sulmin, por kryeministri izraelit e ka mbrojtur veprimin duke thënë se eliminimi i drejtuesve të Hamasit do të “heqë pengesën kryesore” për t’i dhënë fund luftës.

Ndërkohë, ofensiva e Izraelit në Rripin e Gazës është intensifikuar. Ushtria izraelite ka urdhëruar evakuimin e Gazës Qendrore dhe ka shembur ndërtesa të shumta që, sipas saj, përdoreshin nga Hamasi. Sipas të dhënave të agjencisë së mbrojtjes civile në Gaza, të paktën 32 persona humbën jetën nga sulmet izraelite vetëm të shtunën.

Qeveria e Netanyahu-t vazhdon të sfidojë kritikat ndërkombëtare, megjithatë presioni po rritet. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi të premten në favor të ringjalljes së zgjidhjes me dy shtete, në kundërshtim të hapur me qëndrimin izraelit. Po ashtu, vende si Britania, Franca dhe Gjermania kanë bërë thirrje për një ndalim të menjëhershëm të ofensivës në Gaza dhe po përgatiten të njohin shtetin palestinez në mbledhjen e ardhshme të OKB-së.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, deklaroi se Rubio do të riafirmojë angazhimin e SHBA-së për të kundërshtuar veprimet anti-izraelite dhe njohjen e njëanshme të shtetit palestinez, që sipas tij, “shpërblen terrorizmin e Hamasit”. Ai shtoi se Rubio do të theksojë synimet e përbashkëta: “të sigurojmë që Hamasi të mos qeverisë më kurrë Gazën dhe të kthejmë pengjet në shtëpi”.

Në vetë Izraelin, presioni ndaj qeverisë po rritet edhe nga brenda. Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve e ka akuzuar Netanyahu-n si “pengesën kryesore” për lirimin e 47 pengjeve të mbetura në Gaza nga gjithsej 251 të rrëmbyer në sulmin e Hamasit në tetor 2023. Ushtria izraelite beson se të paktën 25 prej tyre janë të vdekur.

Lufta e nisur pas sulmit të Hamasit në tetor 2023, ku u vranë 1,219 persona në Izrael, ka shkaktuar deri më tani vdekjen e të paktën 64,803 palestinezëve në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e kontrolluar nga Hamasi – shifra të konsideruara të besueshme nga OKB.

Top Channel