“Kurti duhet të reflektojë”/ Ndërprerja e dialogut strategjik, ekspertët: Mesazh për kryeministrin, ka gabuar në dy çështje  

14/09/2025 11:55

Qeveria në detyrë e Kosovës, të premten ka pësuar një goditje nga aleati i saj më i fuqishëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërprenë dialogun strategjik, për një kohë të pacaktuar për shkak të deklaratave dhe veprimeve të kryeministrit në detyrë Albin Kurtit.

Një veprim i tillë i partnerit strategjik e përkufizon Kosovën si vend të destabilizuar.

 “Në këtë mënyrë edhe Kosova përkufizohet si vend që përhap destabilitet rajonal. Nëse ka diçka që është shquar pikërisht Kosova, ka qenë se është një shtet i cili është konform normave të stabilitetit rajonal të projektuar nga SHBA-të”, tha analisti Afrim Kasolli.

Arsyeja kryesore e këtij vendimi të Shteteve të Bashkuara ishin deklaratat kërcënuese të Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese e veprimet ndaj Listës Serbe.

Sipas njohësve të marrëdhënieve politike, ndërprerja e dialogut strategjik është një tërheqje e vërejtjes ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

“Këtë pozicion të ri amerikan e shoh si një lloj tërheqje të vërejtjes si një lloj presioni që i bëhet klasës politike në Kosovë, me theks të veçantë qeverisë në detyrë, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që t’i korrigjojë veprimet e tij në raport me dy temat e mëdha”, shton Kasolli.

Dialogu strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën ka nisur në vitin 2021 dhe kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të të dyja vendeve. Deri më tani SHBA-të kanë ndërprerë dialogun strategjik, përpos Kosovës edhe me Gjeorgjinë, Kinën e Rusinë.

Top Channel