
Mesdita e të dielës do të gjejë në Hagë në një park afër Dhomave të Specializuara të Kosovës, me qindra shqiptarë të cilët do zhvillojnë një tubim në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit arrestuar pesë vite më parë.
Ky tubim zhvillohet vetëm një ditë përpara nisjes të dhënies dëshmi nga dëshmitarët e mbrojtjes.
Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve, gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, i cili ndodhet në Hagë, sjell detaje në lidhje me tubimin.
“Ky tubim është konceptuar në mbështetje të ish udhëheqësve të UÇK, të cilët prej 5 vitesh janë arrestuar dhe përballur në këtë godinë me akuza për krime lufte të cilat ata i kanë mohuar në mënyrë kategorike. Të gjithë shqiptarët në Kosovë, dhe organizata e veteranëve të UÇK që kanë kërkuar leje për të mbajtur këtë tubim pranë Dhomave të Specializuara, por autoritet nuk i kanë lejuar. Kështu tubimi do të spostohet në një park pranë kësaj godine mesditën e sotme. Shqiptarë nga Europa, madje dhe nga SHBA, Kosova dhe Shqipëria kanë ardhur dhe do të marrin pjesë nesër në këtë manifestim”, u shpreh gazetari Veliu.
Por kush janë dëshmitarët e mbrojtjes në këtë proces dhe sa kohë do të duhet që gjykata të administrojë dëshmitë tyre?
“Kur ky proces nisi 5 vite më parë prokurorët specialë thanë se kishin siguruar dëshmitë e 300 personave, por deri tani kanë dëshmuar 125 persona. Duke nisur nga dita e hënë, do të jenë 12 dëshmitarë që do japin dëshmi për Thaçin, 5 të tjerë për Krasniqin, nga të cilët 3 e kanë dhënë me shkrim. Mbrojtja e Thaçit dhe të bashkakuzuarve kanë qenë hermetik për të treguar se cilët janë dëshmitarët e tyre. Megjithatë një prej tyre, James Rubin, tha se do të jetë në Europë sepse do të dëshmoje për krime lufte në Kosovë. ‘Do të kthehem’ tha ai pasi ka shumë për të thënë. Gjithsesi qarkullojnë disa emra, si ish komandanti i NATO, apo dhe Bernard Kouchner”, u shpreh gazetari i Top Channel, live nga Haga.
Top Channel