
Përballë Tiranës urbane, “mushkëria e gjelbër” e qytetit po ndotet nga ujërat e zeza.
Liqeni Artificial i Tiranës i cili prej vitesh mbledh mijëra shqiptarë si edhe të huajë përreth tij, po dëmtohet nga shkarkimet e ujërave nga bizneset të cilat operojnë në të.
Ky shqetësim është ngritur nëpërmjet një auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili vë në dukje se strutkurat përgjegjëse publike janë në dijeni të rastit por pa rezultat në marrjen e masave.
“Edhe pse nga strukturat shtetërore është evidentuar që në muajin tetor 2024 (pra rreth 6 muaj më parë) se në Liqenin Artificial të Tiranës ka shkarkime të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara, aktualisht përveç korrespondencave shkresore, nuk janë marrë masa konkrete për evidentimin e shkaqeve dhe shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave për ndërprerjen e menjëhershme të shkaqeve që shkaktojnë ndotje, si dhe përmirësimin e situatës mjedisore në liqenin artificial të Tiranës. Bashkëpunimi ndërinstitucional për zgjidhjen e problematikës nuk ka funksionuar, fakt i shprehur edhe nga vetë strukturat e APR gjatë auditimit.”
KLSH thekson në dokument se kjo situatë ka ardhur si pasojë e moskoordinimit mes institucioneve lokale dhe qendrore të pranuara dhe nga vet Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Ndonëse janë realizuar dhe tendera pastrimi përsëri nuk kanë patur si qëllim menaxhimin e ujërave të zeza dhe reduktimine tyre.
“Për periudhën objekt auditimi 2021–2024, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka shpenzuar mbi 10.6 milionë lekë për pastrimin e basenit të Liqenit Artificial të Tiranës. Ky pastrim ka konsistuar vetëm në pastrim mekanik, pra heqje e plastikave nga sipërfaqja e liqenit, e bimësisë së tepërt, etj., por jo i lidhur me reduktimin/ eliminimin e elementëve që shkaktojnë ndotje në ujin e liqenit, të cilët janë në nivele të larta.”
Liqeni Artificial i Tiranës nuk ka një sistem qarkullues uji, por furnizohet vetëm me prurjen e shirave. Auditimi tregon se parkut i mungon rrjeti i kanalizimeve dhe subjektet private që operojnë aty përdorin zgjidhje individuale, si gropa septike, të cilat nuk monitorohen nga asnjë institucion.
Top Channel