Kosova përpara testit të 12 tetorit/ Analistët i shikojnë zgjedhjet lokale si pararojë e zgjedhjeve të reja të përgjithshme

13/09/2025 12:35

Më 12 tetor në Kosovë do të zhvillohen zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për këto zgjedhjet, që janë të dytat për këtë vit, pas zgjedhjeve parlamentare të nëntë shkurtit.

Ky institucion është përballur me buxhet të kufizuar, pasi Ministria e Financave nuk ka ndarë mjete shtesë. Sipas monitoruesve të zgjedhjeve, kjo mund të paraqesë probleme në fazën e numërimit të votave nga zgjedhjet lokale.

“Është ideja që softweri i cili na dështoi në zgjedhjet e përgjithshme, mos me na dështu sa i përket shpalljes së rezultateve, numërimit të votave edhe për zgjedhjet lokale. Kjo është një sfidë që mendoj se KQZ-ja mund të hasë përsëri në probleme“- shprehet Vullnet Bugaqku – Instituti Demokratik i Kosovës

Problematikë tjetër dhe rrezik për manipulim, montiruesit presin të sjellë edhe procesi i shpërndarjes së fletëvotimeve tek votuesit jashtë Kosovës, proces ky që zhvillohet për herë të parë.

“Nuk është arritur të kontraktohet një kompani që do të bëjë shpërndarjen e fletëvotimeve dhe që t’i dërgojë atje, me gjasë KQZ-ja do t’i administrojë vetë edhe kësaj here, çështjen e procedurave të votimit me postë, uroj që nuk do kemi kontestime e dyshime mbi validitetin”. 

Më 13 shtator, të shtunën, zyrtarisht nis fushata zgjedhore ku 93 subjekte për një muaj do të shfaqin programet e tyre para qytetarëve. Fushata do të zgjasë deri më 12 tetor, në orën 07:00 të mëngjesit kur edhe nis procesi i votimit. Konsiderohet që kjo fushatë dhe zgjedhjet lokale të ktij viti do të ndikojnë në masë të madhe edhe në nivelin qëndror, pikërisht për shkak të bllokadës që po pengon formimin e institucioneve për muaj të tërë.

“Nga e tërë kjo bllokadë dhe zvarritje pothuajse shtatë mujore, po vërehet që qëllimi ka qenë të afrohen zgjedhjet lokale dhe për të parë situatën në teren. Rezultati i zgjedhjeve lokale mbase do ta determinojë fatin e zgjedhjes së kuvendit ose edhe zgjedhjeve të reja të përgjithshme parlamentare”.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, të drejtë vote kanë 2,025,105 qytetarë brenda Kosovës e 43,933 jashtë vendit. Votuesit nga jashtë mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës me postë nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

Top Channel