
Niko Peleshi do të drejtojë Kuvendin e Shqipërisë për katër vitet e ardhshme.
Peleshi ishte sugjerimi i kryesocialistit Edi Rama për të marrë këtë detyrë. Propozimi u hodh në votim të fshehtë në seancën e sotme plenare, ku ia doli të grumbulloi 84 vota pro. 87 deputetë morën pjesë në votim, 3 prej të cilëve votuan kundër.
Opozita kundërshtoi propozimin e Peleshit për drejtimin e Kuvendit dhe bojkotoi votimin, por në vend të fletës së votës, hodhi në kuti pankarta kundër qeverisë ‘Rama 4’.
“Besimi që më dhatë sot duke më zgjedhur Kryetar të Kuvendit të Shqipërisë është një nder dhe përgjegjësi e madhe, të cilën e pranoj me përulësi e përkushtim”, u shpreh Peleshi pas betimit.
Ai ftoi kolegët “të vendosin një standard të ri të respektimit të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Etikës”.
“Krahas qeverisë dhe parlamentit, standardet e reja europiane duhet të rroken nga e gjithë shoqëria, nga të rinjtë, studentët, profesionistët apo sipërmarrësit. Duhet ndërtuar një mendësi e tërë europianiste.
“Parlamenti është një nga kudhrat ku farkëtohen modelet dhe qasjet e reja. Gjuha e urrejtjes, dhuna verbale (ndonjëherë edhe fizike) nxisin përçarje dhe urrejtje edhe në shoqëri. Pra bëhen një model i keq dhe pengues për të ndërtuar mendësinë e re europiane“, u shpreh kryeparlamentari.
Top Channel