“Në krye të Parlamentit një njeri me 5 dosje korrupsioni”, Berisha për zgjedhjen e Peleshit si kryetar Kuvendi: S’kemi nevojë për tolerancën e tyre

12/09/2025 18:48

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u largua nga Kuvendi pas zgjedhjes së Niko Peleshi në krye të Kuvendit.

Në fjalën e tij për mediat, Berisha u shpreh se nuk ka nevojë për tolerancën e mazhorancës dhe e quajti këtë të premte si “ditën më të zezë në historinë e Parlamentit”.

“Sot, në drejtim të Parlamentit u zgjodh një njeri me pesë dose korrupsioni. Niko Peleshi është njeriu që ka firmosur akte madhore korruptive për djegëset, akte të cilat e bëjnë atë përgjegjës automatik për dëmet kolosale që i ka bërë shqiptarëve. Niko Peleshi është i akuzuar për pronat në Kolonjë dhe zona të tjera kur ka qenë ministër Bujqësie. Nga pikëpamja fizike, ai është një qenie amorfi. Ai në vend ku të shkojë atje ku e ka vendi, ky merr kreun e Parlamentit, vetëm e vetëm se ka vjedhur së bashku me Ramën.

Nuk kemi nevojë për tolerancën e tyre. Ata nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit shqiptar, por të krimit shqiptar. Përfaqësojnë miliarda të vjedhura të qytetarëve shqiptarë. Ne e konsiderojmë të paligjshëm këtë Parlament dhe beteja jonë nuk ndalet. Në këtë drejtim është dita më e zezë e parlamentarizmit shqiptar. Kanë shkelmuar me dy këmbë Kushtetutën. Kurrë mandati nuk dorëzohet rrugëve. Çdo i zgjedhur në ato lista është u detyruar me ligj e kushtetutë të vijë të bëjë betimin dhe pastaj të dorëzojë mandatin.

Edhe kjo e Patosit, Zegjineja. E rroskavecit më falni. S’mund ta merrte kurrë mandatin. Duhet ta merrte Bardha, ta dorëzonte këtu. Por këta nuk kanë ligj e Kushtetutë.

Ai ka shpallur si një institucion privat komisionet, në një kohë kur Parlamenti ka të përcaktuara 8 komisione, pa ndryshuar rregullorja. Dhe rregullorja ka procedurën e vetë. Ai ishte një atentat ndaj opozitës. Nuk jemi dakord për një veprim që ka lidhje me interesat personale të Edi Ramës”, tha Berisha.

Top Channel