
Një çift të moshuarish në zonën e Freskut, Tiranë, kaluan dy netë në rrugë, pasi u dëbuan nga banesa me qira ku qëndronin.
Sipas tyre, u nxorën me forcë dhe u dhunuan nga pronari i shtëpisë, i cili nuk pranonte të lidhte kontratë qiraje. Dokument i domosdoshëm për të përfituar bonusin e qirasë si familje e pastrehë.
Historia u bë publike falë një denoncimi qytetar në emisionin “Fiks Fare”, që gjeti fillimisht rrobat dhe pajisjet e çiftit jashtë pallatit dhe më pas dokumentoi edhe kushtet e rënda në të cilat ndodheshin të moshuarit.
Të nesërmen, çifti u gjet në rrugë. Burri ulur në një karrige dhe gruaja e mbështjellë me një jorgan. Zonja tregoi për dhunën fizike që kishte pësuar, shenjat e saj dhe problemet shëndetësore kronike që kërkojnë trajtim të vazhdueshëm.
Çifti tregoi se janë përfitues të bonusit të qirasë si familje e pastrehë dhe për këtë arsye u kërkohej kontratë me qiradhënësit. Ata pretenduan se pronari i banesës nuk pranoi të bënte kontratë, ndaj lindi konflikti. Sipas zonjës, ajo u dhunua dhe u nxor me forcë jashtë banesës. Ajo tregoi shenja të nxira në kofshë, duke thënë se ishte goditur nga katër persona .
Zotëria u shpreh se nuk i kishte treguar fëmijëve për ngjarjen nga frika se mos lindnin konflikte të tjera. Ushqimin gjatë ditëve që qëndruan jashtë e kishin marrë nga fqinjët.
Pas transmetimit të rastit, autoritetet sociale ndërhynë menjëherë. Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social dhe Njësia Administrative nr. 12 e sistemuan çiftin në një qendër sociale në zonën e “5 Majit”, ku do të qëndrojnë përkohësisht.
Çifti mori edhe pjesën tjetër të plaçkave nga banesa dhe falënderoi publikisht emisionin investigativ “Fiks Fare” për ndihmën e dhënë.
Top Channel