
Kuvendi i Shqipërisë hapi sot zyrtarisht legjislaturën e 11-të, me një hapësirë ku u përzien emra të njohur dhe fytyra të reja.
“Qoftë legjislaturë e mbarë!”, tha Manja.
“Kam marr këshillë të respektoj votuesit”, tha Admir Kadeli, djali i ish-deputetit të njderë, Gjovalin Kadeli.
Zgjimin e Kuvendit e bëri Taulant Balla, duke mbërritur herët, me rimarrjen e detyrës si kryetar grupi i socialistëve. E pas tij, kryetari i ri i kuvendit Niko Peleshi. Deputetët vijuan me radhë paraqitjen në seancën e parë, ku ndryshe nga mazhoranca që erdhi kryesisht veç e veç, opozita kishte zgjedhur ecjen si grupim.
Më të lumturit u shfaqën të rikonfirmuarit në detyrë.
“Është përgjegjësi”, tha ministri i Financave, Petrit Malaj.
Por gëzimi ishte i dukshëm edhe te deputetët që u rikthyen në poste ministrore.
Të çlirët e të familjarizuar me politikën u shfaqën dhe ministrat që ndryshuan profilin.
“Nga njëra ministri në tjetrën, privilegj, nder dhe shumë përgjegjësi. Për të rinjtë bashkëpunim e mirëpritje”, tha Blendi Gonxhe.
Në dukje pa një buzëqeshje, por qasja në fjalë ishte pozitive edhe nga të larguarit nga kabineti qeverisës.
“I uroj pasardhëses sime shumë suksese në këtë detyrë të rëndësishme. PS gjithmonë e ka treguar se barazia gjinore është shumë e rëndësishme”, u shpreh ish-ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Takimet përkrahëse nuk munguan brenda llojit. Madje as shtrëngimet e duarve mes kundërshtarëve politikë.
Kishte edhe deputetë që erdhën duke sakrifikuar në seancë.
“Do hyj me këmbën e djathtë sigurisht!”, tha Bardh Spahia duke qeshur, teksa futej në Kuvend me paterica.
Por edhe nga ato që ishin të detyruar, si Ana Dajko që është produkt i konfliktit Lapaj-Shabani. Pensionistja deputete e nisi me lapsus që ditën e parë.
“Mbaj mbi supet e mia 64 mijë mandate…”, tha ajo.
64 mijë vota doni të thoni? Po”
Mbështetje i tregoi vetëm demokratja Ina Zhupa.
Kureshtja ishte e madhe se kush e shkeli tapetin e kuq për herë të parë për të shkuar drejt sallës plenare nga 72 deputetët e rinj?
“Dielli ka dalë, koha është e mirë kështu që bereqet do ketë”, tha Ilva Gjuzi.
Emocionet nuk i fshehën, por duket se kanë hedhur pas krahëve kohët e fushatës dhe premtojnë energji të re.
“Pak të emocionuar jemi, normal. Por historia me Gaz Bardhin ka mbaruar gjatë fushatës”, tha Zegjine çaushi.
Në sfilatën politike mbizotëronin kostumet e errëta, por kishte edhe guxime…kostume me ngjyra apo fustane elegante që thyenin monotoninë e ‘uniformës’ parlamentare.
Kishte të rinj që kishin menduar në detaje veshjen, për të përçuar edhe mesazhe politike.
“Kam vënë një shall jo thjesht si aksesor, por është gjithë balta, akuzat e paragjykimet që janë hedhur mbi mua në këtë rrugë. Do e shohin tani kush është Sara në punët e Parlamentit!”, tha deputetja e re, Sara Mile.
Dhe ky ceremonial parlamentar nuk i shpëtoi as syrit të turistëve.
Top Channel