Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e së premtes në Bolonja, ku një 18-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pasi makina me të cilën po udhëtonte u përplas me një shtyllë ndriçimi dhe disa automjete të parkuara, gjatë një ndjekjeje nga policia.

Në automjet ndodhej edhe një tjetër shqiptar, 19 vjeç, i cili mbeti i plagosur. Makina rezultoi e vjedhur dhe ngjarja ndodhi rreth orës 5 të mëngjesit, pranë kryqëzimit me rrugën “Via dei Lamponi”.

Sipas informacioneve paraprake, të rinjtë nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar dhe tentuan t’i ikin patrullës. Makina ishte ndaluar në semafor të kuq kur oficerët u afruan për kontroll, por sapo semafori u bë i gjelbër, të rinjtë shtuan shpejtësinë dhe u larguan me vrull, duke nisur ndjekja.

Pas disa minutash ndjekjeje, për shkak të shpejtësisë së madhe, policia e humbi makinën nga fushëpamja dhe më pas e gjeti të përplasur me një shtyllë.

Ndihma mjekësore u dha menjëherë në vendngjarje. Drejtuesi 19-vjeçar, pa precedentë penalë, pësoi lëndime të lehta. Ndërsa 18-vjeçari që ishte pasagjer, humbi jetën në vendin e ngjarjes. Ai kishte precedentë të mëparshëm për vjedhje dhe rezistencë ndaj policisë.

Top Channel