U lejoi të kalonin kufirin dy personave që kërkoheshin për tregtim të lëndëve narkotike, ndalohet efektivi i Policisë Kufitare në Qafë Botë

11/09/2025 10:02

Një efektiv i Policisë Kufitare në “Qafë Botë” u vu në pranga, pasi i lejoi kalimin e kufirit dy shtetasve që kërkoheshin për tregtim të lëndëve narkotike.

Agjencia e Mikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë Inspektor K. C., me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare “Qafë Botë”, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Ndalimi i tij u bë i mundur pasi në datën 07.09.2025 rreth orës 12:39, ka lejuar kalimin e shtetasve T. H. dhe R. H., ndaj të cilëve Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kishte urdhëruar ndalimin në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Top Channel