
Charlie Kirk po fliste përpara një turme studentësh në kampusin e universitetit të Utah.
Ishte një nga takimet e tij “provo që jam gabim”, ku influencuesi më i ri pro-Maga në Amerikë sfidonte këdo që të provonte se ai kishte gabim. Ai i organizonte shpesh këto, së bashku me shoqatën e tij jofitimprurëse “Turning Point” që e kishte themeluar në vitin 2012 dhe përmes së cilës ishte shndërruar në pikë referimi për të rinjtë dhe adoleshentët e lidhur me Trump dhe idetë anti-ëoke. Videot që tregojnë vrasjen e tij bënë xhiron e botës. Dhe të internetit. Plumbi e godet në qafë dhe ai bie përdhe, në gjendje shumë të rëndë, për të vdekur pak më vonë në spital. Identiteti i snajperistit mbetet ende i panjohur.
Zërit të indinjuar të Trump – i cili fajëson «të majtën radikale” – iu shtuan edhe zërat e gjithë popullit Maga dhe të ekstremit të djathtë amerikan. Elon Musk, për të përmendur njërin prej personazheve më me ndikim, shkoi edhe më tej duke e quajtur të majtën «partia e vrasësve». Në rrjetin e tij social X, dhe jo vetëm, videoja e vrasjes është dhe vazhdon të jetë e analizuar imtësisht sepse për shumë njerëz diçka nuk shkon. Është momenti i teorive të komplotit.
Është e rëndësishme të theksohet se ende nuk ka asnjë siguri për atë që ndodhi në universitetin e Utah. Dy persona të dyshuar u ndaluan, por u lanë menjëherë të lirë. Nuk dihet asgjë as për motivin e mundshëm, vetëm për armën e përdorur. Një armë precize. Dhe ai që qëlloi e dinte mirë se çfarë po bënte: i veshur i gjithi në të zeza, qëlloi një plumb të vetëm nga çatia e një ndërtese dhe goditi në shenjë. Ndërsa hetimet po vazhdojnë, paralelisht në rrjete sociale po ngrihen dyshime që kanë gjithë pamjen e komplotizmit. Në veçanti, fokusi vihet te detajet e skenës dhe lëvizjet e njerëzve përreth Kirk disa sekonda para të shtënës. Videoja që po shkakton debat është ajo që e filmon influencuesin nga turma, e regjistruar nga një student pjesëmarrës në event.
“Kush është ai person pas Charlie Kirk, dhe pse po bën atë që duket si një “sinjal” pak para se ta qëllojnë? Nuk janë gjeste normale”, shkruan përdoruesi që e publikoi i pari videon, e cila më pas u shpërnda qindra herë. Nën vëzhgim janë në fakt dy persona, të dy pas shpinës së Kirk. Një burrë me kapele të bardhë prek strehën e saj ndërsa po filmonte turmën. Menjëherë pas tij, dikush që duket të jetë pjesë e sigurisë së influencuesit lëviz krahët në mënyrë të panatyrshme. E gjitha kjo ndodh një sekondë para atentatit. Një tjetër përdorues vëren me të drejtë: «Nëse do ta dinte, nuk do të ishte kaq afër Kirk». Por nuk mbaron këtu. Teoritë e komplotit në orët e fundit janë shpërndarë me shpërthim: disa kanë rishpërndarë një video – që më pas sistemi i moderimit të X e ka shënuar si përmbajtje me informacione të pavërteta – ku shihet një burrë që vrapon larg nga një ndërtesë. «Është vrasësi që po ikën», thuhet. Ndërkohë që filmimi i përket një përplasjeje me armë në një kazino, në Nevada, më 28 korrik. Pastaj ka nga ata që ndalen në një tjetër moment të videos, ku shihet një student i pranishëm në eventin e Turning Point që ngrihet në këmbë dhe kthehet nga drejtimi prej ku erdhi plumbi, ndërsa të gjithë të tjerët janë ende përtokë: «Të kesh një reagim të tillë menjëherë është sikur e ka parashikuar të shtënën», shkruajnë.
Sërish, ende nuk e dimë të vërtetën. Ajo që është e sigurt është se dhuna politike në Shtetet e Bashkuara po rritet. Dhe lëvizjet radikale – nga të dyja anët – po ushqejnë polarizimin duke përdorur të gjitha mjetet që kanë në dispozicion, përfshi edhe Deepfake, lajme të rreme, teoritë e komplotit. Ashtu si ndodhi pas atentatit ndaj Trump gjatë një tubimi në Pensilvani. Identiteti i atentatorit u bë publik menjëherë nga FBI, por kjo nuk e pengoi përhapjen e teorive alternative, si ajo e një “false flag operation”, pra një operacion i organizuar nga mbështetësit e presidentit amerikan ose versioni se Joe Biden kishte urdhëruar vrasjen, apo edhe se ishte një plan i hartuar drejtpërdrejt nga CIA.
Top Channel