
Policia e Mirditës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, ka finalizuar operacionin e koduar “Green harvest”, duke goditur një rast të tentativës për shitje të lëndës narkotike Cannabis Sativa.
Gjatë aksionit të zhvilluar në aksin rrugor “Shpal–Blinisht”, u sekuestruan 5 thasë me kanabis me peshë totale 38.8 kilogramë, si dhe 2 automjete të përdorura për transportin e drogës.
Sipas Policisë, tre personat e dyshuar që po transportonin lëndën narkotike braktisën automjetet dhe u larguan duke përfituar nga errësira dhe terreni malor. Pas hetimeve, ata janë identifikuar si:
D. R., 40 vjeç, banues në Krujë;
D. R., 35 vjeç, banues në Krujë (vëllezër);
M. Sh., 27 vjeç, banues në Fushë Arrëz, Pukë.
Të tre janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se siguronin lëndë narkotike me qëllim shpërndarjen e saj në sasi të vogla në qytet.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme në kuadër të akuzës për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel