
Kryeministri Edi Rama lajmëroi gjatë asamblesë së PS, reformë të re për ndarjen administrative territoriale, me ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar.
Rama tha se duhet ngritur pa humbur kohë edhe Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, që duhet ‘të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, apo Komisionit të Venecias ndër të cilat ka ardhur koha të marrë përparësi të veçantë, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe nevoja e nxjerrjes së rezultatit në një kohë normale për një vend anëtar të BE’.
“...Së treti, pas 10 vjetësh nga reforma administrative territoriale, koha ka sjellë në rendin e ditës nevojën e një rishikimi të ndarjes administrative territoriale. Prandaj duhet të ngremë pa humbur kohë komisionin e posaçëm parlamentar, për të nisur menjëherë nga puna analitike në funksion të thellimit të kësaj reforme duke reflektuar ndryshimet shumë domethënëse të këtyre viteve që nga demografia, tek teknologjia, me fokus kryesor gjithmonë, mire përgatitjen ne nivelin vendor për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, ku duhet të kemi një cilësi të re të proceseve të qeverisjes vendore. Komisioni i kësaj reforme do të duhet të ngrihet dhe të punojë me të njëjtin intensitet si komisionet e përhershme, duke filluar nga organizimi i një konsultimi të gjerë publik e patjetër, edhe duke i ftuar forcat e tjera parlamentare të mirësevijnë për të dhënë kontributet e tyre, po deshën natyrisht. E meqë ra fjala, ne do të jemi gjithnjë gati t’i dëgjojmë të gjithë në respekt të atyre që i kanë zgjedhur, por ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm të presim këdo qoftë, as edhe një minutë nëse nuk do të dojë të punojë se bashku qoftë për këtë reformë dhe qoftë për çdo reformë.
Së katërti, duhet ngritur po ashtu pa humbur kohë, edhe Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ai duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, apo Komisionit të Venecias ndër të cilat ka ardhur koha të marrë përparësi të veçantë, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe nevoja e nxjerrjes së rezultatit në një kohë normale për një vend anëtar të BE.
Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, ne jemi specie unikale në Europë dhe unë nuk e di se kë tjetër kemi shok për ta bërë një muhabet në botën ku bëhen zgjedhje pluraliste.”-u shpreh Rama.
Top Channel