Rama mesazh deputetëve të rinj: Nëse doni të vazhdoni përtej këtij mandati, ruhuni nga tarbiatet e vjetra që do gjeni këtu

11/09/2025 11:37

Kryeministri Edi Rama i dha një mesazh të qartë deputetëve të rinj të Partisë Socialiste, duke theksuar se për të vazhduar përtej këtij mandati, ata duhet të shmangin tarbiatet e vjetra dhe të adoptojnë një qasje të re ndaj sfidave të vendit.

Rama nënvizoi rëndësinë e disiplinës, inovacionit dhe përkushtimit për të arritur objektivat kryesore të Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe realizimit të vizionit 2030.

“Shokë dhe shoqe, nga reflektimet dua të ndaj me ju mendimin tim se me 83 mandatet që na dhanë shqiptarët, duhet të prodhojmë një fuqi për ta drejtuar Shqipërinë si të ishim në mandatin e parë. Me ide të reja, duhet të kërkojmë te vetja domosdoshmëri të brendshme, një shtysë, një forcë nxitëse për ta parë çdo gjë që kemi bërë jo me syrin e kënaqur të atij që e ka bërë vet, por me një sy tjetër. Na duhet një qasje e re ndaj problemeve të vjetra, me disiplinën e një skuadre kampione. Po të thoja nga këndvështrimi i një opozitari, komplet ndryshe nga ata që bëjnë opozitën e pasuksesshme ndaj nesh.

Zgjedhja juaj është e thjeshtë, doni të rrini vërdallë 4 vjet, apo të zgjateni përtej këtij madati. Nëse doni këtë të dytën, duhet të të ruheni nga tarbiatet e vjetra që do gjeni këtu, të gjithë bashkë programi ynë qeverisës që e kam marrë me vete, s’ka qenë kurrë më i qartë dhe më konkret se këtë radhë. Detyra jonë si përfaqësues s’ka qenë kurrë më i qartë dhe më konkret sesa në këtë mandat për Shqipërinë 2030. Të mbyllim negociatat, të mundësojmë ratifikimin në 27 parlamentet për anëtarësimin e Shqipërisë.

Këto nuk janë tre stacione të radhës, por 3 maja që duhen kapur njëra pas tjetrës në kohë për të realizuar ngjitjen për në shtëpinë e familjes së saj, të fatit të shkuar të saj. Vërtet yjet e fatit janë reshtuar si asnjëherë në favorin e Shqipërisë, kurrë majat s’kanë qenë të dukshme si sot, por ngjitja me sukses, është e varur nga ne, populli shqiptar. Populli na dha përfaqësinë më të madhe, qëkur jemi nisur nga lluca e vitit 2013, tani është radha jonë për t’i udhëhequr shqiptarët deri në majën e fundit. Ne kemi më shumë deputetë të rinj, sesa ka trupa madhështore e humbësve”-u shpreh Rama.

Top Channel