Rama i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, propozon Ogerta Manastirliun për drejtimin e Bashkisë

11/09/2025 11:18

Kryeministri Edi Rama ka hapur rrugën për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, duke propozuar Ogerta Manastirliun si kandidate për drejtimin e Bashkisë.

Në një fjalim të gjatë në Asamblenë e PS, Rama theksoi nevojën për përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe kritikoi situatën aktuale në kryeqytet, duke përmendur sfidat e kryetares aktuale dhe nevojën për një vendim politik që të mundësojë një përfaqësim të përgjegjshëm të qytetit.

Pjesë e jonë është ta mbështesim përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë, sa i nevojshëm të duket nga ne, nuk do të merret me votat tona, pa marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian. Kjo që kemi është ende larg nga drejtësia që i duhet Shqipërisë 2030 në BE dhe që meritojnë njerëzit e këtij vendi të sakatuar nga drejtësia. Nuk do të kemi asnjë iluzion, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç asaj të vendosmërisë. Të gjitha rrugët e tjera nxjerrin mbrapsht, te gropa thithëse e drejtësisë.

Sot kemi një kryetar bashkie i zgjedhur tre herë, i dënuar jo për detyrën si kryetar. I janë nxjerrë edhe biseda me familjarët nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Diktatorial, jo e jo. Është shkelja më e hapur dhe më flagrante në shpërdorim të detyrës, nga ana e tyre që duhet të mbajë nën kontroll hetimet. Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta, përditë e përnatë. Nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë për sa ka bërë në këto 7 muaj. E falënderoj për përkushtimin. Por sot ne duhet të marrim një vendim politik, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë në Tiranë.

Mendoj se Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur për drejtimin e Bashkisë Tiranë”, tha ndër të tjera Rama.

Top Channel