“Nuk do nxjerrim artilerinë ndaj SPAK”/ Rama për drejtësinë e re: Duhet t’u japim kohën atyre institucioneve të dobëta të rriten!

11/09/2025 11:18

Kryeministri Edi Rama rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen për drejtësinë e re, gjatë mbledhjes së Asamblesë Socialiste, por adresoi kritika të forta ndaj SPAK dhe GJKKO, që sipas tij, herë pas here shfaqin shenja të drejtësisë së vjetër.

“Shpeshherë, mua më pyesin edhe shokë dhe shoqe këtu, si mund të durohen pa lënë dy gurë bashkë padrejtësitë e organeve të drejtësisë kur ato bien deri dhe te tek dikush me të cilin kemi ndarë ditë të mira dhe të këqija në llogoren e përbashkët. Si xhanëm edhe kur padrejtësia në trajtimin e rastit duket açik, ku e ku më e trashë sesa filli i drejtësisë, prapëseprapë u dashka të durojmë. E di që përgjigja ime shumëkujt këtu nuk i duket përgjigje edhe pse sa për sy e faqe bën sikur bie dakord, por unë nuk e gjej dot një përgjigje më të lehtë. Sipas meje, pikërisht pse ne kemi hyrë jo me zor, por me dëshirë në këtë llogore të përbashkët të politikës me flamurin e Partisë Socialiste dhe kemi zgjedhur të punojmë për Shqipërinë e nesërme nuk kemi asnjë mundësi dhe mbi të gjithë asnjë të drejtë ta kthejmë llogoren e përbashkët në një rifuxho për të marrë në mbrojtje këdo qoftë dhe as të nxjerrim artilerinë tonë kundër SPAK-ut apo GJKKO-së. Dhe po, përfshirë dhe në rastet kur për dikë sipas nesh po bëhet një padrejtësi.

Fatkeqësisht për ne nga ana njerëzore po fatmirësisht për Shqipërinë dhe për Partinë Socialiste, sepse sado e padrejtë, madje ndoshta absurde mund të duket kjo që thashë po të mos e lësh mënjanë anën njerëzore do të ishte i pariparueshëm për më shumë se një dekadë tjetër demi që artileria jonë do t’i bënte Shqipërisë së nesërme. Kauzës së madhe epokale të pavarësisë dhe transformimit europian të drejtësisë të ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë si garancia e vetme nesër e një sistemi të pavarur, të drejtë funksional drejtësie të barabartë për të gjithë fëmijët e sotëm të Shqipërisë. Ky është durimi shtet bërës strategjik që duhet ta kalisë kushdo ka marrë përsipër të jetë pjesë e grupit udhëheqës të kësaj partie me vetëdijen që deri kur institucionet e reja të drejtësisë do të qëndrojnë fort mbi këmbët e veta, kjo parti është i vetmi garant i pavarësisë së tyre, po nuk iu dhamë atyre institucioneve te dobëta ende shumë të dobëta kohën që iu duhen të rriten, ndërgjegjësohen dhe të aftësohen ashtu siç duhet, gjithë kjo përpjekje do shkojë dëm, por më keq akoma do shkojë dem gjithë ëndrra dhe pritja e shqiptarëve për të pasur një drejtësi më në fund të pavarur nga pushteti politik“-u shpreh Rama.

Top Channel