
Niko Peleshi u propozua nga kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama për drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Peleshi zëvendëson në këtë rol Elisa Spiropalin.
“Unë besoj se pas kaq vitesh eksperiencë, në drejtimin e një sërë institucionesh, por dhe për profilin e respektuar gjerësisht, gati-gati për periudha të tëra konsensualisht, diçka që mua nganjëherë më acaron, si dhe për prirjen e hershme ndaj risive të teknologjisë, të cilat në Kuvendin e Shqipërisë, arrijnë kur janë vjetërsuar komplet për gjithë të tjerët, Niko Peleshi është profili dhe njeriu i duhur për të marrë nga Elisa stafetën si Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë“, tha Rama.
Ndërkohë, në vend të Bledi Çuçit, nënkryetar i PS-së në Kuvend, u zgjodh Klodiana Spahiun.
“Unë kam shumë besim, se në krah të Nikos, me eksperiencën e fituar, po për profesionalizmin, për integritetin, për përkushtimin absolut, për shembullin që e ka karakterizuar 4 legjislatura me radhë, deputetja e Durrësit, Klodjana Spahiu, është nënkryetarja e duhur për Kuvendin e ri“, u shpreh kryeministri.
Ndërsa Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, do ta drejtojë Taulant Balla, detyrë që e ka mbajtur edhe më herët.
“Përsa i takon drejtimit të Grupit të ri Parlamentar, më i madhi në numër që kemi pasur deri më sot, në mandatin më sfidues për Partinë Socialiste, besoj se ka shumë pak për tu menduar, për eksperiencën e gjatë si deputet, nga numri i mandateve, për njohjen e detyrës së drejtuesit të grupit më mirë se kushdo dhe për linjën nepotike, jo përmes gjakut me Gramoz Ruçin, Taulant Balla është deputeti i duhur, në kohën dhe në vendin e duhur“, tha kreu i qeverisë.
Në Kuvendin e katër viteve të ardhshme, Partia Socialiste që fitoi zgjedhjet në 11 maj, siguroi 83 mandate.
Top Channel