
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama theksoi se pushteti gjyqësor është i pavarur dhe se organet e drejtësisë tani qeverisen vetë, pa ndikim politik.
Ai pranoi se kjo “tërheqje e drejtësisë nga ndikimi politik” do të sillte dhimbje dhe sfida, por e cilësoi si një hap historik drejt krijimit të një drejtësie të pavarur, të lirë dhe të paanshme, që nuk është parë në 100 vitet e fundit.
“Ia kemi lënë pushtetit gjyqësor që t’i qeverisë vetë organet e veta, të zgjedhura krejtësisht jashtë vullnetit të partive politike. Kush flet për kapje të pushtetit nga ana jonë, me urdhra nga lartë, ose nuk di çfarë flet, ose nuk do të pranojë të vërtetën shumë të madhe të një ndryshimi që në historinë e këtij vendi do të shënohet si epokal, për një vend që nuk ka pasur kurrë pavarësi të prokurorëve dhe gjykatësve.
E kam ditur që kjo tërheqje e plotë nga fusha e gjyqësorit, do të sillte dhimbje dhe do na bënte dëshmitarë të një lindje dhe të rritje të vështirë, të krijesës së drejtësisë së pavarur, që për 100 e kusur vjet nuk ishte as e lirë, as e pavarur e as e paanshme. Por ne do t’i durojmë të gjitha dhimbjet e këtij procesi historik të pavarësisë së drejtësisë. Qoftë se vijnë nga mëkati i atyre prej nesh, ose nga atyre që gjykojnë të pavarur ndaj nesh. Ne do durojmë kur ato dhimbje vijnë nga helmi i atyre të tjerëve që na akuzojnë se ne e kemi kapur këtë drejtësi, që për herë të parë po godet njerëz me pushtet politik. Kjo e drejtësisë është prova më e egër e zjarrit të Partisë Socialiste”, u shpreh Rama.
Top Channel