“Drejtësia e re drejt shfaq hera herës shenja të sëmundjeve të trashëguara”/ Rama: Nuk bëhemi avokatë të askujt, kur prokurorët apo superprokurori i SPAK dalin nga roli i garantit të barazisë të ligjit…

11/09/2025 11:11

Kryeministri Edi Rama kritikoi sistemin e drejtësisë, në fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste.

Duke theksuar se bëhet avokat i askujt, Ramma tha se ka raste kur prokurorët dalin nga roli i garantit të barazisë të ligjit. Këto, tha Rama, janë shenja të drejtësisë së kalbur 100 vjeçare.

“Nuk jemi lëkundur në këtë rrugë, nuk do të lëkundemi pavarësisht faktit se përtej arritjeve të padiskutueshme, drejtësia e re drejt shfaq hera herës shenja sëmundjeve të vjetra, që godasin rrugët e frymëmarrjes të lirë dhe dëmtojnë shëndetin e organizmit demokratik të vendit. Pushteti i drejtësisë mban ende prokurorë e gjykatës dritëshkurtër, mendjengushtë e me mungesë integriteti, ndërkohë që qeverisja e pavarur e sistemit reagon sikur fle në këmbë. Kur sheh si individë që paguhen me taksat tona shumë më shumë se mësuesit e mjekët, e përdorin pavarësinë e tyre për të goditur interesat e shtetit dhe të familjeve të një lagjeje të tërë banimi, të zë lemeria nga rishfaqja e drejtësisë së vjetër. Nuk bën përjashtim as SPAK, krenaria e vetme sot e zbatimit të reformës në drejtësisë, as gjykata speciale, që nuk po del ende nga hija e SPAK. Këta dy institucione na kanë dhënë arsye për t’u habitur, por edhe për tu shqetësuar. Mosrespektimi i prezumit të pafajësisë, intimidimi  i personave të dijeni, paraburgimi si presion, nxjerrja e të dhënave hetimore rrugëve, për të linçuar fatin e personave të hetuar, marrja e rolit të institucioneve të tjera e dalja nga roli i garantit të barazisë të ligjit për të marrë rolin e noterit të prokurorit, apo edhe të superprokurorit, janë shenja të drejtësisë së kalbur 100 vjeçare. Por, kujdes, kura për këto sëmundje nuk është kthimi pas nga rruga e pavarësimit të drejtësisë. Duhet ti japim kohë kohës, me bindjen se institucionet demokratike nuk rriten më shpejt se fëmijët”.

Top Channel