
Kreu i demokratëve, Sali Berisha, ka vendosur të komentojë vendimin për t’u bërë pjesë e Kuvendit.
Ai u shpreh se Edi Rama do të festonte nëse ata do të kishin bojkotuar pjesëmarrjen në sesionin e ri parlamentar, pas zgjedhjeve të 11 majit.
“Prandaj, dhe ne mirëkuptojmë këta demokratë që kanë instinkte politike shumë të zhvilluara, integritet dhe mendojnë se ne po bëjmë një gabim të rëndë që po hyjmë në parlament. Tani, unë i ftoj ata të ndalen në një moment fondamental. Dhe që ne demokratët për fatin më të keq, në tërësi nuk e kemi parasysh. Efektin shkatërrimtar të censurës mbi ne.
Ne mendojmë se flasim me njëri-tjetrin, dalim edhe në një studio diku dhe komunikuam me zgjedhësit, në një kohë kur studimi tregon se aksionet tona të komunikimit janë as një e dhjeta e atyre të qeverisë. Në këtë kontekst, unë në emër tuaj u them demokrateve dhe demokratëve, që mbetën zemërthyer nga vendimi i djeshëm i kryesisë, se prania jonë në parlament, duke qenë zëri i tyre, është absolutisht në kushtet e territ të narko-diktaturës, e një rëndësie në vlerësimin tim jetik për realizimin e qëllimeve tona.
Dhe u garantoj të dashur miq që na ndiqni dhe që më keni dërguar mesazhe, se Edi Rama do festonte sonte në qoftë se ne do kishim vendosur të mos ishim në parlament. Por nuk injoroj asnjë nga arsyet dhe shkaqet që ju rreshtoni për të mos qenë në parlament. Por gjithmonë ka në shkaqe dhe pasoja një hierarki dhe ti je i detyruar të gjykosh mbi bazën e hierarkisë së tyre. Unë u them këtyre miqve tanë, me shumë respekt, se duam apo nuk duam ne, pasqyra mediatike kryesore është parlamenti.
Është pasqyrë, ndaj dhe në qoftë se duam ta mbyllim për opozitën këtë pasqyrë dhe në bindjen time më të thellë- ndoshta jam gabim sepse nuk jam i pagabueshëm- ne do bënim një gabim me pasoja shumë të rënda për opozitën.
Pra, është një gjë madhore shumë. Demokrate e demokratë, nuk duhet të harroni kurrë se diktaturat nuk kanë armë më të fuqishme se sa censurën dhe terrin informativ në të cilin e zhytin shoqërinë”, tha Berisha.
Top Channel