Prezantohet qeveria e re, Belinda Balluku konfirmohet si numri dy i Edi Ramës. Ndryshime te Punët e Brendshme dhe Diplomacia. Ja të gjitha lëvizjet

11/09/2025 16:52

I pari i socialistëve, Edi Rama, hapi zarfin me emrat me skuadrës qeverisëse të katërt përpara Asamblesë Socialiste.

Ministra me eksperiencë nga tre mandate qeverisëse dhe emra surprizë ministrash që sjellin energji të reja.

Kështu e ka ndërtuar Edi Rama kabinetin e tij të katërt qeverisës, madje për herë të parë në botë, Shqipëria do të ketë Diellën si ministre dixhitale.

Kryeministri konfirmoi si numrin dy të qeverisë Belinda Ballukun, e cila do të vijojë të jetë zv,kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë duke ruajtur të njëjtat pozita ekzekutive e politike brenda PS-së.

“Si fillim në rolin e zëvendës kryeministrit, konfirmoj zëvendësen time, Belinda Balluku, kontributi i së cilës deri më sot ka folur vetë më mirë se çdo fjalë. Zëvendës kryeministrja do të drejtojë të njëjtën ministri, Infrastrukturën dhe Energjinë, e cila nuk do të ndryshojë si ministri, sepse ka fituar një qëndrueshmëri që vetëm mund të forcohet”.

Belinda Balluku ka mbajtur detyrën e zv.kryeministres prej vitit 2022 dhe ministres se Infrastrukturës dhe Energjisë që nga janari i 2019.

Një prej risive që Rama solli është drejtimi për herë të parë i ministrisë së brendshme nga një grua, të cilën ia besoi Albana Koçiut duke i përcaktuar dhe fushat ku e ajo do ushtrojë veprimtarinë e saj.

“Në drejtimin e Ministrisë së Brendshme do të vijë Albana Koçiu, e cila ka një karrierë tanimë të gjatë në administratë, ka filluar nga shkalla më e ulët, e njeh si pakkush në këtë vend administratën publike, ka qenë për 10 vjet, në mos gabohem drejtore e Administratës Publike dhe në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, më ka krijuar bindjen që jo vetëm ka ambicien dhe këmbënguljen, por ka dhe një kapacitet të veçantë motivues të njerëzve”.

Elisa Spiropali nga kryetare e parlamentit do të drejtojë diplomacinë shqiptare një përmbushje e ambicies së saj të kahershme.

“Në këtë fazë të re, ku na duhet të përgatitemi për një ofensivë diplomatike si asnjëherë më parë sepse procesi ka negociatat, por ka dhe gjithë qeveritë, ministritë e jashtme, parlamentet që do të duhet të votojnë anëtarësimin e Shqipërisë, duhet që ta çojmë në maksimum mbështetjen politike të anëtarësimit dhe na duhet në krye të diplomacisë shqiptare, një profil maksimalisht politik dhe me aftësi të spikatur për të mos i pushuar goja, që natyrisht është Elisa Spiropali”.

Rama ishte kujdesur që shqiptarët e suksesshëm jashtë vendit të vijnë në qeveri përmes mjekes së njohur Evis Sala të cilën e propozoi të drejtojë shëndetësinë.

“Shëndetësinë do ta drejtojë një studente e dikurshme e atij universiteti, pranë Fakultetit të Mjekësisë e cila prej plot 29 vjetësh, ka zhvilluar një karrierë ndër më mbresëlënëset në radhët e shqiptarëve të Europës dhe të botës. Ajo ka spikatur si akademike, si mjeke dhe si drejtuese në disa prej universiteteve dhe qendrave më të njohura spitalore në botë. Nga qendra spitalore për kancerin Memorial Sloan Kettering në New York në pozicionin e profesores dhe shefes së radiologjisë abdominale, tek universiteti i Kembrixhit ku ka punuar si profesor i imazherisë onkologjike, ka mbrojtur doktoraturën dhe ka kryer specializimin e lartë në radiologji dhe së fundmi në Poliklinikën Universitare Gemelli ku drejton departamentin e imazherisë diagnostike dhe radiologjisë dhe njëkohësisht ushtron dhe detyrën e profesores në Universitetin Katolik të Zonjës së Shenjtë në Romë. Duke e pranuar pas një kohe të arsyeshme reflektimi ftesën time, profesore Evis Sala, do ta lërë Italinë për të na u bashkuar si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë përpjekje historike të Shqipërisë 2030 në BE. Ajo do të sjellë përveç të tjerash në qeveri edhe shembullin rrezatues të shqiptarëve të suksesshëm të Europës dhe të botës të cilëve do tua hapim derën sa më shumë dhe gjithnjë e më shumë, qoftë për të shërbyer si profesionistë në çdo nivel nga qeveria deri në çdo njësi vendore, qoftë për të investuar si njerëz të kësaj toke”.

Mbetën jashtë kabinetit Rama katër Ulsi Manja, postin e të cilit e mori një prurje e re brenda PS, Besfort Lamallari.

Nga ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do drejtojë komisionin parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme në Parlament.

Jashtë kabinetit, Rama 4 mbeti edhe Arbian Mazniku një bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës vitet e fundit si dhe Anila Denaj të cilën Rama e zëvendësoi me kryebashkiakun e Cërrikut, Andis Salla.

Ministrja më jetëgjatë e qeverisjes socialistë prej 2013 vijon të mbetet Mirela Kumbaro, e cila do të drejtojë arsimin.

Blendi Gonxhe do vazhdojë të mbetet në qeveri, kësaj here si ministër për kulturën, turizmin dhe sportin.
Delina Ibrahimaj do të drejtoje ekonominë dhe inovacionit.

Majlinda Dhuka do të vijojë të jetë ministre shteti dhe kryenegociatore sikurse Adea Pirdeni ministre shteti për administratën publike dhe antikorrupsionin.

Ervin Demo ministër shteti për pushtetin vendor.

Drejtimin e kuvendit ia besoi një socialisti të vjetër si Niko Peleshi. Riktheu në krye të grupit parlamentar socialist Taulant Ballën me mbështetjen e Toni Gogut si ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Zëvendëskryeministër, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Belinda Balluku

Ministër i Brendshëm
Ikën: Ervin Hoxha
Vjen: Albana Koçiu

Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Ikën: Igli Hasani
Vjen: Elisa Spiropali

Ministër i Mbrojtjes
Pirro Vengu

Ministër i Financave
Petrit Malaj

Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
Blendi Gonxhja

Ministër i Mjedisit
Ikën: Mirela Kumbaro
Vjen: Sofjan Jaupaj

Ministër i Arsimit
Ikën: Ogerta Manastirliu
Vjen: Mirela Kumbaro

Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Ikën: Albana Koçiu
Vjen: Evis Sala

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit
Ikën: Blendi Gonxhe
Vjen: Delina Ibrahimaj

Ministër i Drejtësisë
Ikën: Ulsi Manja
Vjen: Besfor Lamallari

Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ikën: Anila Denaj
Vjen: Andis Salla

Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Ikën: Taulant Balla
Vjen: Toni Gogu

Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Adea Pirdeni

Ministër Shteti dhe Kryenegociator  për BE
Majlinda Dhuka

Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
Ikën: Arbjan Mazniku
Vjen: Ervin Demo

Top Channel