
Një tjetër grevë e taksistëve grekë ka paralizuar Athinën.
Sipas sindikatës së taksistëve të Athinës, kanë nisur një grevë 48-orëshe në kundërshtim të politikave fiskale por edhe të liberalizimit të këtij sektori, çka sipas tyre do të zhysë mijëra taksistë profesionistë në krizë.
Sindikata ankohet se qeveria po përgatit një ligj që parashikon dhënien e licencave për krijimin e kompanive të taksive si dhe hapjen e tregut për kategorinë e mini-busëve.
Në ligj parashikohen rritje taksash dhe klauzola fiskale për të cilat taksistët dyshojnë se janë të qëllimshme për të lehtësuar kompanitë shumëkombëshe të taksive.
Nga ana e saj Ministria Greke e Transportit thotë se sektori i taksive nuk përmbush nevojat e tregut si për cilësinë e mjeteve ashtu edhe për mbulimin më të mirë të kërkesës, kryesisht në zonat turistike ku vihen re fenomene monopoliste dhe abuzimi prej taksive.
Përsa i përket taksave,ministria thotë se edhe ky sektor duhet të deklarojë të ardhurat si çdo biznes ose individ në territorin e Greqisë.
Në jo pak raste janë evidentuar raste me abuzimet me çmimet dhe vjedhje ndaj klientëve, fenomene të cilat duket se kanë krijuar një klimë negative lidhur me këtë sektor në perceptimin e grekëve për drejtuesit e taksive.
Sondazhet e fundit inkurajojnë qeverinë të marrë masa drastike ndaj fenomeneve të abuzimit dhe monopoleve të krijuara në këtë sektor aq jetik për industrinë turistike të vendit.
Top Channel