Nderohen zjarrfikësit në Lezhë, bashkia i jep “Mirënjohjen” për sakrificat e efektivëve gjatë zjarreve të verës

10/09/2025 13:13

Në një ceremoni të veçantë, Bashkia e Lezhës nderoi me certifikatë mirënjohjeje shërbimin zjarrfikës, duke vlerësuar punën dhe sakrificën e efektivëve gjatë vitit.

Me këtë rast, u vlerësuan gjithashtu edhe dy drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme, Arben Cara dhe Agustin Pepkolaj, për mbështetjen dhe angazhimin e treguar.

Drejtori i shërbimit zjarrfikës në Lezhë, Ferdinand Preçi, tha se falë profesionalizmit dhe vendosmërisë së efektivëve është bërë e mundur ndërhyrja edhe në terrene shumë të vështira.

Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i shërbimit zjarrfikës, Arben Cara, nënvizoi se vetëm gjatë muajve të fundit janë regjistruar 593 raste ndërhyrjesh, duke treguar përmasat e punës që kryhet çdo ditë.

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, theksoi se kjo mirënjohje është vetëm një shenjë e vogël vlerësimi për punën e efektivëve zjarrfikës.

Ceremonia u mbyll me mesazhin se puna e zjarrfikësve nuk është thjesht një profesion, por një mision që shpesh kryhet në kushte të rrezikshme.

Top Channel