
Akademiku i njohur Artan Fuga ka ironizuar situatën aktuale politike në vend në prag të shpalljes së kabinetit të ri qeverisës nga Edi Rama.
Në një reagim në rrjetet sociale Fuga shprehet se “ia kemi arritur ditës që të kemi disa qeveri, si në kohë e Ismail Vlorës apo Princ Vidit”, duke shtuar se janë 5 të tilla të shpallur publikisht, e ndërsa për opozitën thotë se “pa dashje po bashkëqeveris”.
Fuga ‘ka thumbuar’ edhe qarkullimin e një liste që pretendohet se në të janë disa nga emrat e që do të jenë në kabinetin e ri qeverisës, duke thëne se rëndësi ka që emri të qarkullojë në këto lista, edhe nëse nuk janë të vërteta.
“Edhe në listë fallco po të jem komshinjtë ma varin, policët kur bëj ndonjë shkelje rrugore ma falin, ndonjë dashnore a dashnor edhe e zë, dhe bëj edhe lekë me hijen e listës”, shkruan Fuga me ironi.
Reagimi i plotë:
Pesë qeveri
Ja arritëm që si në kohën e Ismail Vlorës, Princ Vidit, a ku di unë, të kemi disa qevri.
Sot.
Një qevria që është ende në fuqi, por që ka nja gjashtë muaj që tund derën.
Një tjetër qevria që qarkullon lista me ministra, shoh pas njerëz që luten, aman shtoje edhe emrin tim, nuk ka rëndësi që nuk më ka njeri në kandar, po të qarkullojë emri. Edhe në listë fallco po të jem komshinjtë ma varin, policët kur bëj ndonjë shkelje rrugore ma falin, ndonjë dashnore a dashnor edhe e zë, dhe bëj edhe lekë me hijen e listës.
Qevria që do të jetë në 12 shtator e një kohë më pas, sa kohë atë e di vetë Zoti, ai që krijoi botën, natën dhe ditën, dritën dhe errësirën, qiellin dhe Tokën, oqeanin dhe të thatën, kafshët dhe monstrat, majmunët dhe njerëzit.
Pastaj është qevria teknike e themeluar disa javë më parë në sheshin e Flamurit në Vlorë, e konfirmuar në Shkodër dhe në Korçë.
Më në fund edhe opozitën si antimaterie e qeverisë, pra anti-qeverinë që bashkëqeveris pa dashje prej katër mandatesh tashmë, opoooo-zita!
Pesë qevri të shpallura publikisht, imagjino sa duhet të jenë në hije, sa flejnë nëpër restorante dhe kafene, nëpër metro, e aeroplanë, sa prej tyje janë në ëndërrat e grave dhe burrave anëembanë shqiptarisë.
Top Channel