Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kërkon masë disiplinore për avokatin e Ilir Metës, zbardhet arsyeja

10/09/2025 16:16

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar masë displinore për avokatin e Ilir Metës, Kujtim Cakranin, pasi deklaron se ka shkelur rregullat duke lejuar kryerjen e një komunikim me telefonin e tij me ish-presidentin nga qelia, live në një studio televizive.

Drejtori i Burgjeve, Klevis Qosja, duke iu drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë, shprehet se kjo telefonatë e kryer tetorin e një viti më parë.

“Sipas ligjit “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve dhe të të Paraburgosurve”, leja për realizimin e telefonatave, takimeve apo formave të tjera të komunikimit për një të paraburgosur, duhet të miratohet paraprakisht nga prokurori i çështjes”, thuhet në shkresë, gjë që sipas tij nuk është bërë.

“Për rastin konkret Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve rithekson se nuk ka dhënë asnjë autorizim për realizimin e komunikimit në fjalë. Veprimi i ndërmarrë përbën një ndërhyrje të papranueshme në funksionimin normal të IEVP dhe cenon rëndë rendin dhe autoritetin e institucionit të paraburgimit.

Pra, krijon një precedent të rrezikshëm, duke shkelur në mënyrë të hapur dispozitat e nenit 49, të ligjit nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, dhe normat që rregullojnë ushtrimin e detyrës së avokatit me integritet, etikë dhe përgjegjësi”, theksohet në shkresë.

Top Channel