
Polonia ka rrëzuar disa objekte të ngjashme me dronë që shkelën hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi të gjerë rus ndaj Ukrainës, në një incident të paprecedentë që përfaqëson ndërhyrjen më të drejtpërdrejtë të një vendi anëtar të NATO-s ndaj aseteve ruse që nga fillimi i luftës në vitin 2022.
Ushtria polake e ka cilësuar incidentin si një “akt agresioni” dhe “shkelje të paprecedentë të hapësirës ajrore”, duke theksuar se këto veprime përbënin një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve.
Presidenti i Polonisë pritet të kryesojë një takim urgjent mbi sigurinë kombëtare, ndërsa kryeministri Donald Tusk ka deklaruar se operacioni është ende në vazhdim dhe se është në kontakt të drejtpërdrejtë me shefin e NATO-s. Ai ka thirrur gjithashtu një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit qeveritar brenda orës.
Për shkak të situatës, qytetarëve në tre rajone kufitare, përfshirë rajonin Mazowieckie ku ndodhet kryeqyteti Varshava, u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të strehohen. Në të njëjtën kohë, operacionet në katër aeroporte janë pezulluar, përfshirë aeroportin ndërkombëtar Chopin në Varshavë, pasi hapësira ajrore e vendit është mbyllur përkohësisht.
Top Channel