
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso, për shkak të një problemi personal me të”, është kjo deklarata në polici e Ragip Gila pas arrestimit.
Ai u ndalua si autor i dyshuar për ngjarjen e rëndë ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso dhe kamarierja Meri Kaceri.
“Erogeni më ka kërcënuar dhe kemi pasur probleme. Sillet si i fortë dhe më ka çuar fjalë. Konflikti ka qenë vetëm me të dhe unë doja të qëlloja vetëm atë”, ka thënë Gila para oficerëve hetimorë, mëson korrespondenti i Top Channel Klodian Zhivani.
Gjatë tentativës për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë, 30-vjeçari është rrëzuar nga një lartësi pranë shinave të trenit, në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar këmbën. Në momentin e kapjes, policia i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën.
“E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb shumë këmba”, mësohet të jetë përgjigjur ai, para se të vihej në pranga.
Ndërkohë, pavarësisht versionit të dhënë nga i arrestuari, policia po e trajton me rezervë deklaratën e tij dhe po heton nëse pas kësaj ngjarjeje fshihen persona të tjerë që mund ta kenë porositur për të goditur Erogen Vason, 43 vjeç, i cili ndodhet ende nën kujdes mjekësor në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Ndërkohë, kontrolle po bëhen në pronat e të gjithë personave të inkriminuar në ngjarjet e rënda në Shkodër në vitet e fundit.
Top Channel