Nëntë vrasje kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës gjatë këtij viti teksa ngjarje të tilla ndikojn në sigurinë në qytet.

Dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën nga një atentat mafioz që ndodhi këtë mëngjes në qendër të qytetit veriperëndimor. Viktimë mbeti Armando Pali, ish-këshilltar bashkiak pranë bashkisë së Shkodrës dhe ish-punonjës i IMT, si dhe i riu Liridon Kraja, shoqërues i Erogen Vasos. Dyshohet se shënjestra e atentatit ka qenë ky i fundit, i cili ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital. Plumbat kanë kapur edhe kamerieren e lokalit.

Të mërkurën e kaluar, në 8 shtator, në zemër të qytetit, u eliminua 34-vjeçari Kristian Kola. Dy autorët, të cilët lëviznin me motor, derdhën në drejtim të të riut 8 plumba nga një armë gjysmë silenciator duke e lënë të vdekur në vend. Nga rindërtimi i skenës së vrasjes kuptohet se qitësi ka qenë profesionist, duke mos gabuar shënjestrën dhe lëvizjet e tyre tregojnë për një studim të objektivit. Ndërkohë sot, në një intervistë ekskluzive për “Shqipëria live’, babai i viktimës, paralajmëroi për vetëdrejtësi, nëse nuk zbardhet ngjarja dhe nuk dënohen autorët.

Një konflikt që ndodhi në 5 shtator në fshatin Abat të Shalës, në Shkodër çoi në vrasjen e 61-vjeçarit Piro Prroni. Pasi u vetëdorëzua, autori Ndoc Maçaj pranoi se duke dalë nga prona e tyre, viktima tentoi ta qëllonte me kosë, ndërsa autori nxori pistoletën dhe qëlloi në ajër. Konflikti vijoi dhe më pas, autori e qëlloi 61-vjeçarin, duke dëshmuar se këtë veprim e bëri për vetëmbrojtje.

65-vjeçari Frrok Lleshi u ekzekutua në 4 gusht në fshatin Paçram të Shkodrës. Paraprakisht dyshohet se vrasja e ish-policit lidhet me një hakmarrje të mundshme. Lleshi ishte një emër i njohur për autoritetet. Ai ishte dënuar më herët për vrasje me dashje dhe me vendim nr.37, datë 17 mars 2006, Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me 25 vite burg. Ai u lirua më 16 mars 2023, pasi kishte kryer rreth 17 vite të dënimit.

Një ngjarje e rëndë ndodhi në 27 shkurt në fshatin “Guci e Re” në Shkodër, ku u qëllua për vdekje me armë zjarri 20-vjeçari Pavlin Preka. Për vrasjen, janë shoqëruar në polici dhjetëra persona, por nuk hetimi për ngjarjen nuk është mbyllur ende.

Në 18 shkurt, Anila Ndoka Prendushi u qëllua nga i dashuri i saj, i cili më pas vrau veten. Ajo humbi jetën gjashtë ditë më pas në spital. Plumbi i kishte prekur një pjesë të trurit dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ishte në repartin e reanimacionit në gjendje të rëndë për jetën. 44 vjeçarja ishte nëna e tre fëmijëve, 20, 18 dhe 9 vjeç.

Në ditët e para të vitit, në 5 janar, u vra në Postribë 33-vjeçari Ramzan Mataj. Në pranga u vunë tre pjesëtarë të familjes Hasaj, si autorë të dyshuar të vrasjes.

Top Channel