“Në diasporë kemi profesionistë të jashtëzakonshëm”, Rama i kërkon ambasadorëve ngritjen e një databaze: E papranueshme të mos e dimë ku janë

08/09/2025 10:57

Kryeministri Rama nuk është kursyer vetëm te aspekti i diplomacisë ekonomike për të kritikuar ambasadorët gjatë takimit 3 ditor që po mbahet në Tiranë.

Në fjalimin e tij, ai është ndalur edhe në një tjetër pikë, mungesën e një databaze të profesionistëve shqiptarë që po shkëlqejnë nëpër botë.

“Diaspora dhe shërbimet konsullore është në vëmendjen tonë. Ka ende shumë për të bërë dhe mundësitë e reja të teknologjisë na japin arsye të besojmë se mund ta përmirësojmë më tej shërbimin tonë konsullor, ndërkohë që pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë Atdheut në zgjedhje, forcon jo thjesht rolin e tyre, por edhe nivelin e detyrimit tonë për t’u shërbyer dhe organizuar me ta. Edhe këtu ka disa raste të veccuara suksesi në raport me nevojën për këtë zhvillim, por në tërësi jemi mbrapa. Rezultati lë të për dëshiruar”, tha Rama.

Sipas tij “Ne jemi një vend i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi dijeni për burimet tona njerëzore jashtë vendit. Nuk e kemi luksin të mos kemi dijeni për profesionistët e jashtëzakonshëm që kemi në të gjitha vendet e botës”.

“Praninë e tyre duhet të na e garantojë Shërbimi Diplomatik. Por që ne të mos kemi një databazë që pasurohet dita ditës me profesionistët shqiptarë në territoret e mbarë botës dhe ku shumë shqiptarë shkëlqejnë dhe nuk kanë nevoja materiale ndaj Shqipërisë, por do ta mirëprisnin një ftesë nga Shqipëria për të kontribuar, është e papranueshme që ne të jemi kaq të paditur lidhur me një kapital të jashtëzakonshëm njerëzor që kemi jashtë vendit. Ky duhet të jetë objektiv parësor i të gjitha ambasadave”.

Top Channel