Gjykata Kushtetuese e Kosovës i është përgjigjur Albin Kurtit, pas kritikave që kryeministri në detyrë lëshoi në adresë të saj.

Gjykata ka shprehur shqetësimin për ato që i ka quajtur “deklarime të pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”.

Përmes një komunikate për media Kushtetuesja, pa ia përmendur emrin Kurtit, ka thënë se pavarësia e saj nuk është privilegj i gjyqtarëve që ajo ka, por është themel i shtetit të së drejtës.

Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në komunikatë.

Albin Kurti u konfirmua si kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli parti e parë në zgjedhje, por Gjykata Kushtetuese në vendimin e disa ditëve më parë ka urdhëruar të pezullohet çdo proces që ka lidhje me formimin e qeverisë së re.

Kurti e cilësoi Kushtetuesen si “hijen e opozitës kundrejt Vetëvendosjes”, por gjykata thekson se vendimet e saj bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

 

 

Top Channel