Begaj dekretoi mbledhjen e Parlamentit të ri, Bardhi ironizon: Shqipëria nuk ka President, por një ministër të Ramës në Presidencë

08/09/2025 15:14

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ironizon presidentin e Republikës, Bajram Begaj, i cili pak më parë nxori dekretin për mbledhjen e seancës së parë plenare të Legjislacionit XI.

“Shqipëria nuk ka President të Republikës, por një ministër të Ramës në Presidencë, që firmos çdo gjë që urdhëron Taulant Balla. Çfarë turpi, çfarë niveli mediokër”, u shpreh Bardhi.

Pak ditë më parë, Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e PD, që i kërkonte gjykatës të mos njihte shpërndarjen e mandateve të 11 majit, sipas variantit përfundimtar të Komisionit Rregullator në KQZ.

Mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit do të mbahet më 12 shtator 2025, në orën 10:00, njoftoi presidenti Bajram Begaj, që dekretoi sot seancën e parë. Krahas shkresës, Begaj ndau edhe një mesazh për Legjislaturën e XI-të, që thekson se përkon me një moment historik për vendin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane, shkruan kreu i Shtetit.

Top Channel