Jo më hotele për azilkërkuesit në Angli, do të strehohen nëpër kazerma

08/09/2025 15:53

Qeveria britanike po shikon mundësinë që në të ardhmen, azilërkuesit të strehohen më shumë nëpër kazerma ushtarake e të largohen prej hoteleve.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey konfirmoi lajmin se një skenar i tillë po diskutohet nga ekzekutivi i Keir Starmerit edhe pse po shqyrtohen gjithashtu edhe objekte jo-ushtarake për të ofruar një strehë për emigrantët që kërkojnë azil.

Aktualisht, mbi 32,000 azilkërkues janë të strehuar në hotele në Britaninë e Madhe, pothuajse 40 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë në këtë periudhë të vitit.

Qeveria e kryeministrit Starmer është përballur vazhdimisht me kritika për këtë situatë, e prej disa muajsh ka pasur edhe protesta të vazhdueshme ndaj kësaj qasjeje të qeverisë.

“Çfarë dreqin janë duke bërë këta, po u japin hotele me katër yje? Po vijnë këtu, po marrin dhe akomodim me mëngjes, po u ofrohen edhe lehtësira të tjera…nuk është faji i njerëzve, sepse ata vijnë në kërkim të një jete më të mirë, unë këtë e kuptoj. Problemi në këtë rast është qeveria”, tha një protestues.

Starmer pati njoftuar më herët se më e shumta deri në fundin e 2029-tës, nuk do të strehonte më azilkërkuesit në hotele.

Top Channel